Detaje nga nata e së premtes, ja çka ishte i gatshëm të bënte Pacolli që të pengonte rrëzimin e Speciales

Aktuale

Detaje nga nata e së premtes, ja çka ishte i gatshëm të bënte Pacolli që të pengonte rrëzimin e Speciales

Më: 27 dhjetor 2017 Në ora: 09:02
Behgjet Pacolli / Foto "Bota sot"

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ishte zotuar para ambasadorëve të Quintit, se do të dilte nga Qeveria e Kosovës nëse i kërkohej, në mënyrë që të pengonte shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

E gjithë ngjarja kishte ndodhur ditën e premte, kur treshja udhëheqëse e vendit më në krye presidentin, Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin tentuan rrëzimin e kësaj gjykate.

Kështu kanë theksuar burime të mediave, të afërta me këtë proces.

“Pacolli ishte zotuar para disa ambasadorëve të Quintit se edhe do të dilte nga koalicioni, nëse ishte e nevojshme, në mënyrë që të pengohej formimi i Gjykatës Speciale”, ka thënë ky burim.

Mirëpo, zyrtarisht askush nga Aleanca Kosova e Re nuk ka dashur të komentojë për këtë çështje, ndonëse dy deputetë të kësaj partie, Islam Pacolli e Labinot Tahiri kishin nënshkruar nismën për një seancë të jashtëzakonshme, që synim të vetëm kishte rrëzimin e kësaj gjykate.

Për dallim nga deputeti Tahiri, i cili ka theksuar se me vetëdije të plotë e ka nënshkruar nismën për seancën e jashtëzakonshme, deputeti tjetër i AKR-së, Islam Pacolli tashmë e ka tërhequr nënshkrimin.

Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme media ka raportuar se plani për rrëzimin e kësaj gjykate ishte hartuar tash e sa javë, mirëpo që në fund dështoi për shkak të presionit të madh të ambasadorëve të Quintit.

Ishte fillimisht ambasadori amerikan, Delawie ai i cili tha se këtë hap që po e ndërmerrte Kosova ishte në kundërshtim të plotë me qëndrimet e Amerikës. Madje, ai shkoi edhe më larg, kur tha se kjo ishte një thikë pas shpine ndaj SHBA-së.

Më i ashpër në deklarata ishte edhe ambasadori britanik. Ai theksoi se kjo ishte nata më e rëndë për Kosovën, që nga lufta e fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat