Të “fuqishmit”, komandantët pengojnë Gjykatën Speciale

Aktuale

Të “fuqishmit”, komandantët pengojnë Gjykatën Speciale

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 29 korrik 2016 Në ora: 15:06
Selia e Gjykatës Speciale

Derisa ka kaluar më shumë se një vit që kur deputetët e Kuvendit të Kosovës, miratuan projektligjin për themelimin e Gjykatës Speciale, ende nuk është bërë funksionalizimi i saj.

Deri më tani, sa i përket themelimit të Gjykatës Speciale, dihet se do ta ketë selinë në Holandë, derisa avokatë nga Kosova janë duke u trajnuar atje për proceset gjyqësore që pritet të mbahen.

Sipas analistit Faik Krasniqi, zvarritja e themelimit të Gjykatës Speciale nga ana e partive në pushtet dhe opozitë, duke mos votuar disa nga aktet nënligjore të nevojshme për vënien në funksion të plotë dhe pa vonesë të Gjykatës Speciale, është duke u bërë qëllimisht nga  të ''fuqishmit'' që mund të jenë të akuzuar nga kjo Gjykatë.

“Meqenëse është Gjykata Speciale, të gjithë ata që potencialisht mund të jenë të akuzuar nga ajo, po dëshirojnë të fitojnë kohë në mënyrë që t'i relaksojnë raportet me ndërkombëtarët duke tentuar t’i shmangen akuzimit të tyre në Gjykatën Speciale”, thotë Krasniqi.

Ai kujton se i njëjti problem ishte edhe me zvarritjen e votimit të vazhdimit të mandatit të EULEX-it.

“Por, pavarësisht se ky mision ka qenë jofunksional gjatë 8 viteve të kaluara prapëseprapë duhet t'i vazhdohet mandati, sepse ka mosbesim total në organet shtetërore dhe në organet e drejtësisë në Kosovë dhe atë me plotë të drejtë, pasi drejtësia kosovare na e dëshmoi që është vegël e pushtetarëve dhe të ''fortëve''! Mirëpo përfaqësuesit e BE-së do të duhej të kërkonin llogari prej misionit të EULEX-it se pse ka qenë kaq jo funksional. Meqë tash do të kemi dy Gjykata ndërkombëtare, Gjykatën Speciale dhe atë të EULEX-it, atëherë Bashkësia ndërkombëtare s'do të ketë mundësi të arsyetohet për mosveprimet e tyre, por e ka mundësinë që Kosovën dhe skenën politike ta pastrojë nga mafio-politika, që e kanë zaptuar Kosovën”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkaq, analisti Skënder Zogaj, ka deklaruar se Gjykata Speciale është shpresa e këndelljes së shpirtrave të shumicës së shqiptarëve të Kosovës sepse, paraqet mundësinë për zbardhjen dhe dënimin e krimeve të luftës, që dihet se kanë ndodhur dhe që, edhe 17 vjet pas çlirimit të vendit, ende nuk dihet   kush i ka bërë dhe pse janë bërë?

“Kjo dangë e zezë qëndron kërcënuese në gji un e shoqërisë kosovare, e cila hipoteka e krimit përderisa të mos sqarohet, mbanë në peng gjithë shoqërinë dhe shtetin e Kosovës, që nuk mund të ketë ecje dhe zhvillim të mbarë pa u pastrua nga hipoteka e krimeve dhe pa identifikimin e kriminelëve. Ky është qëllimi i formimit të Gjykata Speciale, e cila tashmë është dashur të jetë në veprim, mirëpo, me gjasë, si çdo gjë tjetër në Kosovë, nuk realizohet sipas planifikimeve. Mirëpo, unë jam i bindur se, Gjykata Speciale shumë shpejtë do të jetë në veprim të plotë, sepse, të dhëna sporadike nga burime mediave bëjnë me dije se, pjesa parapërgatitore e Gjykatës është krye mirë  dhe se janë krijuar të gjitha kushtet e funksionalizimit të saj të plotë”, është shprehur ai.

Sa i përket atyre që nuk e duan Gjykatën Speciale, Zogaj ka thënë se, janë të njohur një pjesë e ish komandantëve të ilegales, që e kanë kundërshtuar dhe po të kishte qenë në mundësinë e tyre, Gjykata nuk do të lejohet te funksionojë, sepse, ish komandantët janë ata që do të kenë punë me Gjykatën!

“Prandaj, është krejtësisht normale që të lëvizin çdo guri për ta penguar. Për hire të së vërtetës duhet të diferencojmë këtu ish komandantët e FARK-ut, të cilët me tërë qenien janë për funksionimin sa më të shpejtë dhe sa më të angazhuar të Gjykatës Speciale, sepse, vetëm kështu do të pastrohet lufta çlirimtarë e Kosovës dhe UÇK-ja nga hipoteka e krimit duke ua dhënë vendin e nderit të merituar të gjitha vlerave të pastra luftarake dhe sakrificës gjithë popullorë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka nënvizuar ai.

Kurse, sipas analistit Rrok Berisha, nëse faktori ndërkombëtar nuk bën presion mbi presidentin, e qeverinë dhe parlamentin e Kosovës, funksionalizimi i Gjykatës Speciale do të shtyhet në pafundësi.

“ Kjo, për arsye se secili, politikan i pozitës dhe opozitës, por dhe deputetë e drejtor bordesh, janë "kandidat' potencial që të ballafaqohen me Drejtësinë për ta "larë' apo dëshmuar 'pafajësinë"  e tyre. Për këtë , as Isa Mustafa si kryeministër, por as Hashim Thaçi si "President" e as Kadri Veseli si Kryetar i Parlamentit të Kosovës, dhe grupet mafioze rreth tyre, nuk janë te interesuar për funksionim e gjykatës Speciale, interesime i tyre është shtyrja sa me e gjatë, mos asgjë tjetër deri në përfundim të mandatit të tyre si Kryeministër, e kryetar parlamenti, dhe deputetë përfundimin e mandat të tyre”,ka thënë Berisha.

Sipas tij, çështja ka ngecur, ngase kërkohet që edhe vendi nikoqir ku tash është vendosur të funksionoj Gjykata Speciale duhet të marr lejen nga parlamenti dhe të fillohet me funksionalizim.

“Shpresoj se pas pushimeve në shtator dhe tutje, do ketë një aktivitet më të shtuar e pse jo dhe një presion më të madh të Bashkësisë ndërkombëtare, ndaj Institucioneve të Kosovës të kapura nga krimi  e nepotizmi, dhe në këtë mënyrë të zgjidhet nene që e mbajnë peng këtë Gjykate. Pra, me fillimin e punës së kësaj gjykate shpresohet, se qytetarët e Kosovës do fillojnë të marrin frymë mëlirshëm, që në tunelin e  zi, të së keqes, skamjes, papunësisë, së keqes e krimit,drejtësisë anemike, të korruptuar e të kapur nga politika. Më në fund,  do të filloj të duket një dritë e shpresës, e prespektivës për një jetë më të qetë, e më me prespektivë”, ka deklaruar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat