Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV), dega në Shtime, kanë zyrtarizuar marrëveshjen e koalicionit për mandatin aktual qeverisës në këtë komunë, shkruan “Bota sot”.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i degës së LDK-së në Shtime, Kastriot Shabani, i cili përmes një postimi ka njoftuar për nënshkrimin formal të marrëveshjes ndërmjet dy subjekteve politike.
Shabani ka bërë të ditur se marrëveshja është arritur si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta dhe është bazuar në parimet e qeverisjes së mirë dhe mirëbesimit.
Postim i plotë:
Sot zyrtarizuam edhe përmes aktit formal marrëveshjen e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje – Qendra në Shtime për mandatin qeverisës.
Si rezultat i përpjekjeve tona të përbashkëta, kemi arritur këtë marrëveshje për të qeverisur në Shtime gjatë mandatit aktual. Marrëveshja është nënshkruar mbi parimet e qeverisjes së mirë dhe mirëbesimit, në përputhje me ligjet në fuqi, dhe do të jetë në funksion të zhvillimit të qytetit tonë dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve të komunës sonë.
Lidhja Demokratike e Kosovës – Dega në Shtime do të marrë udhëheqjen e katër drejtorive komunale dhe pozitën e kryesuesit të Kuvendit Komunal.