Presidentja Shiroka Pula: Kosova ka traditë arkitekturore që meriton të njihet dhe të vlerësohet

Aktuale

Presidentja Shiroka Pula: Kosova ka traditë arkitekturore që meriton të njihet dhe të vlerësohet

Nga: A.M. Më: 23 nëntor 2026 Në ora: 13:28
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë në shënimin e Ditës Botërore të Arkitekturës 2026, organizuar nga Oda e Arkitektëve të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, ajo ka theksuar rëndësinë e arkitekturës në jetën e përditshme dhe ndikimin që ndërtimet e sotme do të kenë te brezat e ardhshëm.

Sipas saj, Kosova ka një traditë arkitekturore që meriton të njihet dhe të vlerësohet, ndërsa arkitektura nuk kufizohet vetëm në projektimin dhe ndërtimin e objekteve, por përcakton edhe hapësirat ku njerëzit jetojnë, punojnë dhe kalojnë një pjesë të madhe të jetës, transmeton "Bota sot".

Gjatë aktivitetit, Shiroka Pula ka përgëzuar Odën e Arkitektëve për ndarjen e titullit “Anëtar Nderi Post Mortem” për profesorin Bashkim Fehmiu.

Ajo e ka cilësuar Fehmiun si arkitektin e parë të shkolluar në Kosovë dhe një prej figurave që ndihmuan në formësimin e Prishtinës moderne.

“Ai ishte arkitekti i parë i shkolluar në Kosovë dhe një prej njerëzve që ndihmuan në formësimin e Prishtinës moderne. Nga kampusi i Universitetit të Prishtinës, te lagjet Dardania, Ulpiana dhe Bregu i Diellit, deri te hoteli Grand, veprat e tij janë pjesë e përditshmërisë sonë. Ato tregojnë se si puna dhe vizioni i një arkitekti mund të ndikojnë në zhvillimin dhe pamjen e një qyteti për shumë breza”, është shprehur presidentja.

Ajo ka rikujtuar se mënyra se si ndërtohet sot ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së brezave të ardhshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat