Në Mitrovicë është vendosur gurthemeli për renovimin e thellë të urës mbi lumin Sitnica, projekt ky që ka vlerën e përgjithshme prej 700 mijë eurosh dhe financohet bashkërisht nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Komuna e Mitrovicës së Jugut.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se investimet në ura nuk janë përqendruar vetëm mbi lumin Ibër, por edhe mbi lumin Sitnica.
Kurti: Po ndërtojmë ura anembanë Kosovës, por më shumë aty ku kanë munguar, në Mitrovicë
“Me rastin e vendosjes së gurthemelit këtu për një renovim të thellë, sa mund ta quajmë një rindërtim të urës mbi Sitnicë, nuk po ndërtojmë ura vetëm mbi Ibër, por edhe mbi Sitnicë. Vitin e kaluar u ndërtuan dy ura të reja mbi Ibër, njëra ka qenë edhe për këmbësorë edhe për vetura, tjetra vetëm për këmbësorë. Ura e tretë është në ndërtim e sipër, që do të thotë se së shpejti do të vijmë edhe për atë punë, për urën e tretë, për përurim. Por sot vendosëm gurthemelin e këtij projekti të rëndësishëm, me vlerë të gjithmbarshme prej 700 mijë eurosh, ku kanë kontribuar së bashku Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Komuna e Mitrovicës. Ne ndërtojmë ura anembanë Kosovës, por natyrisht më shumë, më shpejt e më shpesh aty ku kanë munguar në të kaluarën, e kjo është pikërisht Mitrovica”, tha Kurti.
Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, tha se ura mbi Sitnicë është një nga pamjet e para që i shohin qytetarët dhe vizitorët gjatë hyrjes në qytet.
Peci: Ura mbi Sitnicë do të ketë pamje të re
“Sot, edhe në inaugurimin ose fillimin e punimeve të një projekti shumë të rëndësishëm, pamja e parë që qytetarët e Mitrovicës, por edhe të gjithë mysafirët që vijnë në Mitrovicë, shumica dërrmuese e tyre gjatë hyrjes kryesore e kanë urën mbi lumin Sitnica, e cila do të ketë një pamje të re, imazh të ri. Falënderojmë Qeverinë për përkrahjen në këtë rast, Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, që ka mundësuar që përmes këtij bashkëfinancimi të futemi në një projekt të tillë. Mitrovica, si qytet i urave, po demonstron që jo vetëm ndërton e restauron ura, por jemi çdoherë të gatshëm për ura të bashkëpunimit me të gjitha institucionet”, tha Peci.
Në anën tjetër, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, e vlerësoi projektin si një nga investimet e përbashkëta që pritet të realizohen përmes bashkëpunimit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal.
Krasniqi: Renovimi i urës mbi Sitnicë pritet të përfundojë në shkurt
“Po, kemi mundësi tash edhe me kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, të bashkëpunojmë. Më herët kemi bashkëpunuar në Qeveri, tash po bashkëpunojmë prej nivelit qendror me nivelin lokal. Ky është veç një projekt i shumë projekteve tona të përbashkëta që do t’i kemi nga tash e tutje. Projekti filloi sot dhe përfundon diku në shkurt. Unë jam i bindur se kur vijmë me kryeministrin në përmbylljen e punëve këtu, do të fillojnë edhe punët e tjera të mira për qytetarët e Mitrovicës”, tha Krasniqi.
Gjatë vitit 2025, në Mitrovicë u ndërtuan dy ura të reja mbi lumin Ibër, ndërsa ura e tretë është ende në ndërtim. Me projektin e ri mbi Sitnicë, vazhdojnë investimet në infrastrukturën e urave në qytet.