Seanca e Kuvendit, deputetët debatojnë për raportin e BE-së dhe çështjen Dehari

Aktuale

Seanca e Kuvendit, deputetët debatojnë për raportin e BE-së dhe çështjen Dehari

Më: 5 nëntor 2026 Në ora: 07:22 Përditësuar në ora: 14:10 më 05.11.2026
Kuvendi i Kosovës

Rizvanolli: Është themeluar task-forca ndërinstitucionale për përgatitjet e furnizimit me energji gjatë dimrit

Ministria e Ekonomisë ka themeluar një task-forcë ndërinstitucionale për sezonin dimëror 2026-2027, me mandat për të monitoruar furnizimin me energji elektrike, për të koordinuar përditësimin e bilancit dimëror dhe për të përgatitur planin e veprimit me masa konkrete, përgjegjësi dhe afate.

Kështu ka bërë të ditur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes së Aleancës, Albana Bytyqi, lidhur me përgatitjet dhe sigurinë e furnizimit me energji elektrike në Kosovë gjatë sezonit të dimrit.

Rizvanolli tha se task-forca udhëhiqet nga Ministria e Ekonomisë dhe përbëhet nga përfaqësues të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), KEK-ut, KOSTT-it, KEDS-it, KESCO-s, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

“Duke marrë parasysh këto rrethana, dhe kufizimet e prodhimit vendor, unë kam themeluar task forcën ndërinstitucionale për sezonin dimëror 2026-2027, e cila udhëhiqet nga Ministria e Ekonomisë, me pjesëmarrje gjithashtu të ZRRE-së, KEK-ut, KOSTT-it, KEDS-it, KESCO-s, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Task forca ka mandat të monitorojë furnizimin, të koordinojë përditësimin e bilancit dimëror dhe të përgatisë planin e veprimit me masa, përgjegjësi dhe afate konkrete. Raportimi në ministri është javor dhe, ose i menjëhershëm kur identifikohet rrezik për furnizim”, tha ajo.

Ministrja ka paralajmëruar se përgatitjet për dimër po bëhen duke marrë parasysh zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, ku, sipas saj, janë rritur çmimet e energjisë elektrike.

“Në nivel botëror, rritja e kërkesës për energji elektrike dhe pasojat e luftës në Iran kanë shtuar presionin mbi sistemet energjetike dhe kostot e furnizimit. Në tregjet relevante për rajonin tonë, rritjet janë edhe më të theksuara. Në shtator 2026, krahasuar me shtatorin e vitit 2025, çmimi mesatar në tregun e ditës përpara ishte rreth 75 për qind më i lartë në bursën hungareze HUPEX, ndërsa rreth 50 për qind më i lartë në ALPEX për zonën e Kosovës”, tha Rizvanolli.

Ajo ka sqaruar edhe përgjegjësitë e institucioneve dhe ndërmarrjeve në sektorin e energjisë, duke theksuar se sigurimi dhe kontraktimi i energjisë për furnizimin e konsumatorëve është detyrim i furnizuesve të licencuar.

“Ministria e Ekonomisë harton politikat energjetike dhe udhëheq zbatimin e strategjisë së energjisë. ZRRE-ja është autoriteti i pavarur, përgjegjës për rregullimin e sektorit, mbikëqyrjen e përmbushjes së detyrimeve ligjore dhe rregullatore nga ana e ndërmarrjeve të licencuara, si dhe monitorimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike. KOSTT-i është përgjegjës për operimin e sigurt të sistemit, transmetimin dhe balancimin. KEK-u, për operimin dhe mirëmbajtjen e kapaciteteve të vetëprodhimit, ndërsa operatori i sistemit të distribucionit, KEDS-i, për operimin, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e rrjetit të shpërndarjes. Sigurimi dhe kontraktimi i energjisë për furnizimin e konsumatorëve është detyrim i furnizuesve të licencuar”, tha ajo.

Zemaj: Raporti i Progresit e rrëzon propagandën e Qeverisë për sukseset në shëndetësi

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, në Kuvendin e Kosovës ka folur për gjendjen në sistemin shëndetësor, dhe kritikat që, sipas tij, i ka marrë ky sistem nga Raporti i Progresit, i publikuar të mërkurën.

Ai tha se Raporti nuk paraqet thjesht disa vërejtje teknike, por evidenton probleme të thella në menaxhimin, planifikimin dhe funksionimin e sistemit tonë shëndetësor.

“Ky raport e rrëzon propagandën qeveritare për suksese në shëndetësi, dhe e vendos përballë realitetit të spitaleve, pacientëve dhe profesionistëve shëndetësorë”, deklaroi Zemaj.

Ai tha se vendi sot ka buxhet më të madh, por barna esenciale që vazhdojnë të mungojnë.

“Kemi plane të miratuara për programe që nuk zbatohen. Kemi premtime për digjitalizim, por sistem informativ shëndetësor të fragmentuar dhe jofunksional. Kemi institucione që flasin për reforma, por nuk arrijnë asnjëherë t’i zbatojnë ato”:

“Komisioni Evropian konstatoi se në vitin 2025, buxheti për shëndetësi arriti në 358 milionë euro. Megjithatë, një pjesë e mjeteve nuk arriti të shpenzohet, ndërsa qytetarët vazhdojnë të përballen me mungesë të barnave dhe shërbimeve esenciale”.

“Kjo është pyetja që duhet t’i përgjigjet qeveria: Si është e mundur që kemi miliona në dispozicion, ndërsa pacientët detyrohen t’i blejnë vetë barnat dhe terapitë. A është në pyetje paaftësia, keqmenaxhimi apo tenderët njëburimorë? Unë besoj se është kjo e fundit!”.

“Rreth 40% e shpenzimeve shëndetësore vazhdojnë të mbulohen drejtpërdrejtë nga vetë qytetarët”, theksoi ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Ai tha se problemi nuk është vetëm se sa para ndahen, por si menaxhohen ato dhe çfarë rezultatesh prodhojnë.

Zemaj përmendi edhe rënien e mbushueshmërisë me vaksinën MMR, nga 89 në 82%, është shqetësuese. Ndërsa shtoi se për komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane, kjo shkallë mbetet nën 40%.

Më tej, deputeti tha se edhe programet kundër kancerit nuk zbatohen në mënyrë sistematike.

​Kusari-Lila paralajmëron: Nëse që nga nesër nuk ka rënie të çmimit të naftës, e rikthejmë çmimin tavan

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT), Mimoza Kusari-Lila, ka paralajmëruar rikthimin e çmimit tavan për naftën, nëse rënia e çmimeve në tregun botëror nuk reflektohet edhe në tregun e Kosovës nga nesër.

Ajo ka thënë se gjatë dy ditëve të fundit ka nisur rënia e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, ndërsa ka paralajmëruar se, nëse kjo nuk reflektohet në çmimet vendore që nga dita e nesërme, ministria do të ndërhyjë përmes vendosjes sërish të çmimit maksimal.

Kusari-Lila paralajmëron: Nëse që nga nesër nuk ka rënie të çmimit të naftës, e rikthejmë çmimin tavan

“Pozitive në këto dy ditët e fundit është fillimi i rënies dhe që nga nesër, nëse nuk ka rënie apo reflektim në tregun në Kosovë, ne do ta kthejmë çmimin tavan, pasi kemi bazë ligjore ta bëjmë atë”, deklaroi ajo.

Këtë koment Kusari-Lila e bëri në seancën e sotme të Kuvendit pas pyetjes së deputetes së Aleancës, Albana Bytyqi.

​Kusari-Lila dhe Tahiri përplasen për përvojën në opozitë: Kush ka qëndruar më gjatë jashtë pushtetit?

Një debat mes ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, dhe shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, është zhvilluar sot në Kuvend mbi përvojën politike të anëtarëve të kabinetit qeveritar në opozitë.

Përplasja nisi pasi Tahiri kërkoi nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje që të ushtrojë llogaridhënie ndaj kabinetit të Qeverisë Kurti 4, duke pretenduar se në përbërjen e tij ka ministra që nuk kanë qenë asnjëherë në opozitë.

Kjo deklaratë nxiti reagimin e ministres Kusari-Lila, e cila e kundërshtoi pretendimin e Tahirit, duke thënë se një pjesë e madhe e përfaqësuesve të kabinetit kanë pasur përvojë opozitare, qoftë në politikë apo në shoqërinë civile.

Kusari-Lila: Një pjesë e madhe e përfaqësuesve të kabinetit kanë pasur përvojë opozitare

“Zotëri Tahiri na renditi neve si anëtarë të kabinetit qeveritar në disa radhë. I kërkoi Grupit Parlamentar të LVV-së të na mbajë në llogaridhënie, si pjesë e demokracisë së brendshme, pasi shumica prej nesh asnjëherë nuk kemi qenë pjesë e opozitës. Ky nuk është fakt, por deklaratë e gabuar. Prej kreut të Qeverisë, Albin Kurtit, si opozitar që nga regjimi i Millosheviqit e në vazhdimësi në periudhën e demokracisë pas çlirimit dhe pastaj formimit të institucioneve, edhe dymbëdhjetë përfaqësues të kabinetit qeveritar ose kanë qenë opozitë parlamentare, ose opozitë nga shoqëria civile. Të hedhësh një deklaratë të tillë nuk është e saktë”, shtoi ajo.

Por, Tahiri nuk u tërhoq nga qëndrimi i tij. Ai deklaroi se kishte kaluar dhjetë vjet në opozitë (2007 deri më 2017), ndërsa për Kusari-Lilën tha se nuk kishte qenë në opozitë, përveç kohës kur ishte pjesë e LDK-së.

Tahiri: Unë kam qenë 10 vjet në opozitë, Kusari-Lila kurrë nuk ka qenë në opozitë

“Thjesht, shkurt e shqip. Ky deputet që është përballë jush ka qenë dhjetë vjet me juve në opozitë. 2007–2017. Zonja që foli ka qenë në opozitë vetëm kur ka qenë me LDK-në, kurrë në jetë nuk ka qenë në opozitë”, tha ai.

Pas kësaj deklarate, Kusari-Lila reagoi sërish, duke rikujtuar periudhat kur, sipas saj, kishte qenë në opozitë.

Kusari-Lila: Këto janë periudhat kur kam qenë në opozitë

“Ky ma kujtoi mua se unë kam qenë vetëm një herë në opozitë. Unë kam qenë në opozitë të qeverisjes suaj, 2017–2020, e pastaj edhe një herë në vitin 2020, prej gjysmës së vitit, kur është rrëzuar Qeveria Kurti I”, tha ajo.

“Drejtësi për Astritin”, Tahiri kërkon përgjegjësi edhe nga pushteti

Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, në seancën e Kuvendit të Kosovës, në shënimin e 10-vjetorit të vdekjes së Astrit Deharit, ka kërkuar drejtësi për të dhe përgjegjësi institucionale për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së tij.

Tahiri ka thënë se grupi parlamentar i Aleancës, me të gjitha kapacitetet institucionale, kërkon nga shteti dhe sistemi i drejtësisë që të japin përgjigje për rastin Dehari.

“Edhe grupi parlamentar i Aleancës, nga kjo foltore, në shënimin e 10-vjetorit të vrasjes së Astrit Deharit, pa asnjë dyshim, me krejt fuqinë institucionale kërkojmë nga shteti, nga sistemi i drejtësisë, drejtësi për Astritin. Sikurse që kërkojmë përgjegjësi të drejtpërdrejtë prej kësaj shumice, e cila po harron se për gjashtë vjet i ka fituar mbi 50 për qind dhe nuk ka arritur të na sjellë në Kuvend një evidencë të thjeshtë, e cila së paku do t'u mundësonte qytetarëve të Kosovës, familjes, neve dhe juve që e keni pasur koleg, të dimë se çfarë ka ndodhur”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka kërkuar që rasti të mos politizohet, por të trajtohet përmes institucioneve përgjegjëse, duke kërkuar llogaridhënie edhe nga personat që kanë qenë në pushtet gjatë këtyre gjashtë vjetëve.

“Pra, lëreni këtë punë, mos e politizoni, kërkoni përgjegjësi edhe ndaj personave që janë në pushtet tash e gjashtë vjet dhe nuk kanë bërë asgjë rreth kësaj teme. Pra, ne kërkojmë drejtësi si ju, por edhe përgjegjësi dhe llogaridhënie”, ka theksuar deputeti i Aleancës.

Lushaku-Sadriu: Raporti i BE-së, më i dobëti historikisht - përsëritje e dështimeve të Qeverisë

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar rezultatet e Kosovës në raportin e fundit të Bashkimit Evropian, duke e cilësuar atë si një nga raportet më të dobëta që nga fillimi i publikimit të tyre.

Ajo ka thënë se raporti pasqyron dështimet e vazhdueshme të shtetit në disa fusha, duke theksuar se përgjegjësia për mungesën e progresit nuk mund t’i atribuohet vetëm krizave politike.

“Ky raport ishte ndoshta më i dobëti për nga rezultatet, historikisht prejse ka filluar publikimi i raporteve. Është përsëritje e dështimeve që shteti ynë i ka bërë në çdo fushë, edhe për shkak të krizave politike. Por të mos harrojmë që Qeveria ishte në detyrë dhe askush nuk e ka ndaluar Qeverinë tonë që t’i përmbushë këto kushte, të ndërmarrë reforma dhe t’u përgjigjet kërkesave të qytetarëve me dëshirën më të mirë që Kosova të ecë në rrugën e saj drejt BE-së”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu nga foltorja e Kuvendit.

Deputetja e LDK-së ka veçuar shprehjen “progres i kufizuar” në raportin e BE-së, duke thënë se kjo pasqyron mungesën e përparimit pikërisht në fushat më të rëndësishme për jetën e qytetarëve dhe funksionimin demokratik të shtetit.

“Fjalia më e mirë është ‘progres i kufizuar’, në fushat të cilat janë jetike për jetën e qytetarëve të Kosovës. Duke nisur nga kriteret demokratike të funksionimit të institucioneve tona, kritere që do të duhej të ishin të nënkuptueshme për shtetin tonë, ndërhyrja e politikës në gjyqësor, mosrespektimi i vendimeve të Kuvendit nga Qeveria, mosrespektimi i vendimeve kushtetuese dhe mosrespektimi i afateve”, ka thënë ajo.

Lushaku-Sadriu ka vlerësuar se këto probleme cenojnë drejtpërdrejt rendin kushtetues dhe funksionalitetin e institucioneve të vendit.

“Krejt këto e prishin rendin kushtetues të vendit tonë. Janë shqetësim përtej çdo shqetësimi, sepse prekin thelbin kushtetues dhe funksionalitetin e vendit tonë”, shtoi ajo.

​Prokuroria duhet të veprojë, Rexhaj kërkon zbardhjen e vdekjes së Astrit Deharit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka kërkuar sot zbardhjen e plotë të rastit të Astrit Deharit, në dhjetëvjetorin e vdekjes së tij, në qendrën e paraburgimit në Prizren.

Në fjalën e tij në seancën e rregullt të Kuvendit të Kosovës, Rexhaj ka theksuar se Prokuroria është institucioni përgjegjës për zbardhjen e rastit.

Rexhaj ka kërkuar hetimin e veprimeve që çuan në burgosjen e Deharit, rrethanave të vdekjes së tij dhe veprimeve të ndërmarra pas vdekjes.

Rexhaj kërkon zbardhjen e vdekjes së Astrit Deharit: Prokuroria duhet të veprojë

“Askush tjetër, përveç Prokurorisë, nuk e ka për detyrë ta zbardhë këtë rast. Presim të veprojnë, edhe pse vonë. Nuk është aq vonë për të hetuar veprimet që çuan te burgosja, vrasja dhe veprimet pas vrasjes. Astriti ishte student i Mjekësisë, aktivist i LVV-së dhe shoku ynë. Besonte se padrejtësia që i bëhej dikujt na ngarkon të gjithëve me përgjegjësi. Me atë bindje jetoi dhe veproi. Me atë bindje ngrihemi sot në këtë Kuvend dhe kërkojmë atë që familjes së tij dhe vajzës së tij, Arës, i detyrohemi prej 10 vjetësh”, tha ai.

Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor 2016, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Rrethanat e vdekjes së tij vazhdojnë të jenë objekt i kërkesave për zbardhjen e plotë të rastit. 

Krasniqi nga Kuvendi: Ish-krerët e UÇK-së janë pengje të një drejtësie ndërkombëtare

Deputeti i PDK-së, Altin Krasniqi, djali i ish-kryetarit të Kuvendit dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, në foltoren e Parlamentit ka folur lidhur me procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Krasniqi ka thënë se liria e Kosovës nuk ishte dhuratë, por rezultat i luftës, sakrificës dhe mbështetjes së aleatëve, duke shprehur kundërshtimin e tij ndaj mënyrës se si, sipas tij, po trajtohen ish-drejtuesit e UÇK-së në procesin gjyqësor.

Ai ka pretenduar se ish-krerët e UÇK-së nuk po gjykohen për veprime individuale, por për shkak të pozitave politike që kishin mbajtur gjatë luftës.

“Janë bërë gjashtë vjet që kur krerët e UÇK-së u arrestuan dhe kanë kaluar 50 ditë nga 16 shtatori, kur u dha aktgjykimi në Hagë. Më 16 shtator 2026 nuk u dënuan Jakupi, Hashimi, Kadriu e Rexhepi për veprimet e tyre individuale, por u dënuan për shkak të posteve politike që ata i kishin mbajtur”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka kritikuar edhe qasjen e gjykatës lidhur me strukturën organizative të UÇK-së, duke përmendur gjyqtarin Smith dhe interpretimin e tij për Drejtorinë Politike të Shtabit të Përgjithshëm.

“Jo rastësisht gjyqtari Smith këmbëngulte që Drejtoria Politike e UÇK-së ishte organ mbi organet e tjera dhe kishte autoritet mbi të gjithë UÇK-në. Jo rastësisht ata duan t’i bëjnë përgjegjës personat që në një mënyrë ishin të lidhur me Drejtorinë Politike të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së”, ka thënë ai.

Sipas deputetit të PDK-së, kjo qasje, siç pretendon ai, synon të njollosë edhe objektivat e luftës së UÇK-së, të cilat i cilëson si të pandryshuara ndër breza.

“Kjo ka vetëm një arsye, duan t’i baltosin objektivat e UÇK-së, të cilat ishin të njëjta ndër breza, liria dhe pavarësia e Kosovës, as më pak e as më shumë. Liri kjo që u arrit me shumë mund, gjak dhe shumë jetë të humbura”, ka theksuar Krasniqi.

“Ish-krerët e UÇK-së janë pengje të një drejtësie ndërkombëtare e cila me plot meritë vetëm padrejtësi është”, shtoi ai.

Kuvendi mblidhet sot, në rend dite tri projektligje dhe raporti i Auditorit

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë plenare, e cila është caktuar të nisë në orën 12:00.

Sipas njoftimit të Kuvendit, në rendin e ditës janë paraparë deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare, si dhe shqyrtimi i disa projektligjeve.

Deputetët fillimisht do të shqyrtojnë propozimet e grupeve parlamentare për zëvendësimin dhe emërimin e anëtarëve në komisionet parlamentare, si dhe miratimin e fushëveprimit të këtyre komisioneve për Legjislaturën XI.

Në këtë seancë është paraparë edhe shqyrtimi i parë i tri projektligjeve: Projektligjit për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Projektligjit për Regjistrimin e Bujqësisë dhe Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë.

Po ashtu, në rend dite është edhe shqyrtimi i raportit të Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor të Auditimit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025.

Seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit nga seanca e kaluar, ndërsa më pas do të zhvillohen deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.

RENDI I DITËS

1. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

3. Pyetjet parlamentare,

4. Propozimi i grupeve parlamentare për zëvendësimin dhe emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare,

5. Miratimi i Fushëveprimit të komisioneve parlamentare për Legjislaturën XI.

6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-021 për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave,

7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-019 për Regjistrimin e bujqësisë,

8. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-022 për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë,

9. Shqyrtimi i Raportit të Auditorit të Përgjithshëm për Raportin vjetor të Auditimit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat