​Ymeri kritikon institucionet për mostrajtimin e ankesave të bizneseve dhe qytetarëve për energji, i përgjigjet Kusari-Lila

Aktuale

​Ymeri kritikon institucionet për mostrajtimin e ankesave të bizneseve dhe qytetarëve për energji, i përgjigjet Kusari-Lila

Më: 26 nëntor 2026 Në ora: 16:34
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, në seancën e Kuvendit të Kosovës ka ngritur shqetësimin për problemet me uljen e tensionit elektrik, duke kritikuar Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe institucionet përgjegjëse për mungesën e mbikëqyrjes dhe trajtimit të ankesave të bizneseve dhe qytetarëve.

Ymeri tha se, bazuar edhe në raportimin e ZRRE-së, ky institucion nuk e ka në mandat mbikëqyrjen e problemeve që lidhen me uljen e tensionit elektrik dhe dëmet që shkaktohen në pajisjet e bizneseve dhe amvisërive.

Sipas saj, bizneset dhe industritë në Kosovë kanë mbetur pa një mekanizëm efektiv për adresimin e këtyre problemeve, ndërsa rruga e vetme për të kërkuar kompensim mbetet gjykata.

Ymeri: Qytetarët dhe bizneset kanë mbetur pa përgjigje nga KEDS-i dhe ZRRE-ja

“Bizneset sot janë vetë, pa një rrugë tjetër për t’u ankuar për uljen e tensionit dhe prishjen e pajisjeve. Për bizneset dhe shtëpitë, e vetmja rrugë mbetet gjykata. Siç thuhet se sektori është i rregulluar, kjo po del që nuk është aspak i rregulluar. Më shumë është i rregulluar fitimi i KEDS-it dhe i KEK-ut, sesa të gjitha aspektet tjera”, deklaroi Ymeri.

Deputetja e LDK-së ngriti gjithashtu çështjen e investimeve të parealizuara në rrjetin elektrik, duke pretenduar se kërkesat për investime nuk janë pranuar ndër vite, ndërsa prioritet u është dhënë importit të energjisë dhe devijimeve.

Ymeri tha se për këto pretendime ekzistojnë dokumente dhe se problemet me tensionin elektrik po ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e industrisë dhe makinerive prodhuese.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, ajo kritikoi edhe Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, duke thënë se nuk ka marrë përgjigje për ankesat e adresuara.

Ajo përmendi si probleme edhe mospranimin e faturave të energjisë elektrike nga një pjesë e konsumatorëve, veçanërisht në zonat rurale, mungesën e qasjes së lehtë në fatura dhe mosshqyrtimin e ankesave për ndryshimin e orarit të furnizimit me energji.

Ymeri: KEDS-i, ZRRE-ja dhe institucionet nuk po u përgjigjen ankesave të qytetarëve dhe bizneseve

“Kam vazhdimisht ankesa që KEDS-i nuk i shqyrton ankesat, as ZRRE-ja nuk më është përgjigjur. Edhe Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit nuk është përgjigjur. Problemet janë të shumta, por qytetarët dhe bizneset kanë mbetur pa përgjigje nga institucionet përgjegjëse”, theksoi ajo.

Ministrja e MINTI-së, Mimoza Kusari-Lila, i është kundërpërgjigjur deputetes Janina Ymeri lidhur me ankesën e saj në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, duke theksuar se institucioni ka vepruar brenda kompetencave ligjore dhe se ankesa është përcjellë te Zyra e Rregullatorit.

Kusari-Lila: 3 mijë e 185 ankesa për konsumatorët këtë vit, 690 prej tyre ndaj KESCO-s

“Prej fillimit të vitit deri më sot janë 3 mijë e 185 ankesa në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit. Prej tyre, 690 janë për KECSCO-n”, deklaroi Kusari-Lila.

Ajo tha se për rastet që lidhen me pjesën e rregulluar të veprimtarisë së KECI-t, kompetente është Zyra e Rregullatorit, ndërsa për çështjet që bien në kompetencë të departamentit, bëhen verifikime në terren.

Kusari-Lila: KESCO-s i janë shqiptuar 80 gjoba në vlerë prej 400 mijë eurosh për njehsorë me afat të skaduar

“Deri më tani kemi pasur 80 njehsorë me afat të skaduar, 80 gjoba në vlerë totale prej 400 mijë eurosh për KECI-n, të cilat kanë kaluar dy shkallët e shqyrtimit dhe janë dënime të konfirmuara”, tha ministrja.

Duke iu referuar drejtpërdrejt ankesës së deputetes Ymeri, Kusari-Lila bëri të ditur se ajo ishte përcjellë te Zyra e Rregullatorit në të njëjtën ditë kur ishte pranuar.

Kusari-Lila: Ankesa e Janina Ymerit ndaj KESCO-s u përcoll në të njëjtën ditë te Zyra e Rregullatorit

“Për ankesën tuaj, që më informojnë se është dorëzuar më 8 nëntor, të njëjtën ditë është përcjellë te Zyra e Rregullatorit, për arsye se përfshin veprimtarinë e KECI-t, të cilin duhet ta mbikëqyrë dhe ta rregullojë Zyra e Rregullatorit”, u shpreh Kusari-Lila.

Në fund, ministrja theksoi se afati ligjor për shqyrtimin e ankesave të konsumatorëve është 60 ditë, duke shtuar se departamenti ka performancë më të mirë edhe sa i përket kohës së trajtimit të tyre.

Kusari-Lila: Afati ligjor për shqyrtimin e ankesave të konsumatorëve është 60 ditë

“Me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit janë 60 ditë afat në total për shqyrtimin e një ankese. Përkundrazi, Zyra apo Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit ka një performancë dhe afat shumë më të shkurtër të trajtimit të ankesave të konsumatorëve”, deklaroi ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat