EULEX përmirëson kushtet për ekzaminimin forenzik të të mbijetuarve të dhunës seksuale

Aktuale

EULEX përmirëson kushtet për ekzaminimin forenzik të të mbijetuarve të dhunës seksuale

Nga: Bota sot Më: 26 nëntor 2026 Në ora: 15:51
EULEX

Dy dhoma në Institutin e Mjekësisë Ligjore janë rinovuar dhe pajisur me mobilie e pajisje të reja, me qëllim ofrimin e shërbimeve më dinjitoze dhe më të ndjeshme ndaj traumave për viktimat, veçanërisht gratë dhe fëmijët.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka mbështetur përmirësimin e kushteve për ekzaminimet forenzike të të mbijetuarve të dhunës seksuale në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).

Të enjten, më 26 nëntor, shefi i EULEX-it, Antero Lopes, i dorëzoi ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Institutit të Mjekësisë Ligjore, Valon Hyseni, mobiliet dhe pajisjet e dhuruara nga ky mision.

Donacioni synon të përmirësojë kushtet në të cilat kryhen ekzaminimet forenzike të personave që kanë përjetuar dhunë seksuale.

Në kuadër të këtij projekti janë rinovuar dy hapësira, të cilat përdoren për intervista dhe ekzaminime forenzike, në mënyrë që ato t'u përgjigjen më mirë nevojave të të mbijetuarve të rritur dhe fëmijëve.

Sipas EULEX-it, këto ambiente të përmirësuara synojnë të mundësojnë shërbime që vendosin në qendër të vëmendjes të mbijetuarit, duke marrë parasysh aspektin gjinor dhe ndjeshmërinë ndaj nevojave të fëmijëve, në përputhje me parimet e Konventës së Stambollit dhe Konventës për të Drejtat e Fëmijës.

Shefi i EULEX-it, Antero Lopes, theksoi rëndësinë e krijimit të një ambienti që respekton dinjitetin, privatësinë dhe nevojat individuale të personave që i nënshtrohen ekzaminimeve forenzike.

“Ekzaminimet forenzike të të mbijetuarve të dhunës seksuale, të cilët shpesh janë gra, por, siç tregojnë fatkeqësisht edhe statistikat, edhe fëmijë, veçanërisht vajza, kërkojnë kujdes të veçantë dhe një ambient që respekton dinjitetin, privatësinë dhe nevojat individuale të tyre”, deklaroi Lopes.

Ai shtoi se përmes këtij mbështetimi, EULEX-i synon të ndihmojë institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë që të ofrojnë shërbime më të ndjeshme ndaj traumave dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë ato të Konventës së Stambollit.

Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të IML-së, Valon Hyseni, tha se institucioni ka përgjegjësi që çdo person që paraqitet për ekzaminim të trajtohet me dinjitet dhe profesionalizëm.

“Kur të mbijetuarit e dhunës seksuale vijnë në IML, është përgjegjësia jonë t'i trajtojmë me dinjitet dhe të sigurohemi që ekzaminimet forenzike të kryhen në mënyrë profesionale, duke pasur kujdes të duhur për rehatinë dhe konfidencialitetin e tyre. Jemi mirënjohës ndaj EULEX-it për mbështetjen”, u shpreh Hyseni.

EULEX bëri të ditur se rinovimi i këtyre hapësirave është një hap i përkohshëm drejt përmirësimit të mbështetjes për të mbijetuarit e dhunës seksuale.

Ndër prioritetet afatgjata mbetet krijimi i një qendre të qasshme për referimin e rasteve të dhunës seksuale, ku të mbijetuarit të mund të marrin ekzaminime mjekësore dhe forenzike, mbështetje për tejkalimin e traumave, si dhe këshillim ligjor e psikologjik, në përputhje me kërkesat e Konventës së Stambollit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat