Qeveria e Kosovës ka miratuar katër projektligje për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, tri me Mbretërinë e Suedisë dhe një me Mbretërinë e Belgjikës.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, bëri të ditur se marrëveshjet me Suedinë përfshijnë ekstradimin, ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale dhe transferimin e personave të dënuar.
Ndërkaq, marrëveshja me Belgjikën ka të bëjë me ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale.
Sipas Gërvallës, këto marrëveshje synojnë forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe krijimin e mekanizmave më të fuqishëm për luftimin e krimit ndërkufitar.
“Asnjë kufi shtetëror nuk duhet të bëhet strehë për krimin”, ka theksuar ministrja.
Postimi i plotë:
Miratohen katër projektligje për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, tri me Mbretërinë e Suedisë dhe një me Mbretërinë e Belgjikës
Në mbledhjen e sotme, të tetën me radhë të Qeverisë miratuam tri marrëveshjet me Mbretërinë e Suedisë që përfshijnë ekstradimin, ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale dhe transferimin e personave të dënuar. Ndërkaq, marrëveshja me Mbretërinë e Belgjikës rregullon ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale.
Këto marrëveshje forcojnë pozitën e Republikës së Kosovës në bashkëpunimin juridik ndërkombëtar, zgjerojnë mundësitë për ndjekjen e krimit përtej kufijve dhe krijojnë mekanizma më të fuqishëm për zbatimin e ligjit.
Asnjë kufi shtetëror nuk duhet të bëhet strehë për krimin, e asnjë sistem juridik nuk duhet të mbetet i vetëm përballë tij.