Gjykatat kushtetuese përballë sfidave të reja, ekspertët paralajmërojnë: Inteligjenca artificiale nuk mund ta zëvendësojë gjyqtarin

Aktuale

Gjykatat kushtetuese përballë sfidave të reja, ekspertët paralajmërojnë: Inteligjenca artificiale nuk mund ta zëvendësojë gjyqtarin

Më: 22 tetor 2026 Në ora: 13:53
Pamje nga takimi

Në 17-vjetorin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ekspertë nga Kosova, Shqipëria dhe Evropa diskutuan për standardet ndërkombëtare, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe rolin e Komisionit të Venecias, duke theksuar se teknologjia mund ta ndihmojë drejtësinë, por autoriteti gjyqësor duhet të mbetet në duart e njeriut.

Standardet ndërkombëtare, interpretimi i Kushtetutës dhe ndikimi i inteligjencës artificiale në drejtësi ishin ndër temat kryesore të diskutuara në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, me rastin e 17-vjetorit të themelimit të saj.

Në panelin e parë, me temën “Standardet ndërkombëtare dhe interpretimi kushtetues”, përfaqësues të gjykatave kushtetuese dhe ekspertë të së drejtës trajtuan rëndësinë e standardeve juridike ndërkombëtare në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, garantimin e pavarësisë së institucioneve gjyqësore dhe përballjen me sfidat e reja të sistemeve të drejtësisë.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Letonisë, Irēna Kucina, theksoi se rendi kushtetues i Kosovës është i hapur ndaj së drejtës ndërkombëtare dhe se Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, së bashku me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përbën një pikë të rëndësishme referimi në interpretimin kushtetues.

Megjithatë, ajo nënvizoi se standardet ndërkombëtare nuk mund ta zëvendësojnë Kushtetutën, ndërsa detyrimet ndërkombëtare nuk mund të përdoren si arsye për të anashkaluar rendin kushtetues.

“Standardet ndërkombëtare nuk mund ta zëvendësojnë Kushtetutën dhe jo çdo koncept ndërkombëtar mund të përfshihet automatikisht në të drejtën e brendshme kushtetuese. Kështu, një shtet nuk mund ta përdorë Kushtetutën e tij si një arsye të lehtë për t'u shmangur nga detyrimet ndërkombëtare”, deklaroi Kucina.

Ndërkaq, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe kryetarja e Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane, Fiona Papajorgji, e cila iu drejtua konferencës përmes platformës Zoom, vuri në pah rëndësinë e gjykatave kushtetuese në periudha krizash, tensionesh dhe polarizimi shoqëror.

Sipas saj, pikërisht në momentet kur institucionet dhe shoqëritë përballen me pasiguri, bëhet edhe më i rëndësishëm roli i gjykatave në garantimin e respektimit të Kushtetutës dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.

“Në një botë të shënuar nga luftëra, tensione dhe mobilizim qytetar, Gjykata Kushtetuese ka një rol të veçantë: të garantojë që edhe në kohë pasigurie dhe polarizimi, pushteti të ushtrohet brenda kufijve të Kushtetutës dhe të drejtat themelore të mbeten të mbrojtura”, theksoi Papajorgji.

Ajo shtoi se një nga sfidat e përbashkëta të gjykatave kushtetuese është që Kushtetuta të mbetet një instrument i gjallë, i aftë t'u përgjigjet zhvillimeve dhe sfidave të reja të shoqërive demokratike.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua edhe përdorimit të inteligjencës artificiale në sistemin e drejtësisë. Profesori i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe ish-anëtari i Komisionit të Venecias për Kosovën, Qerim Qerimi, vlerësoi se kjo teknologji mund të jetë një ndihmë e rëndësishme për profesionistët juridikë, por nuk mund të marrë përsipër funksionet që lidhen me autoritetin gjyqësor.

Sipas tij, inteligjenca artificiale mund të përdoret për klasifikimin e dokumenteve, organizimin e informacioneve juridike dhe identifikimin e modeleve në praktikën gjyqësore. Megjithatë, ai paralajmëroi se përdorimi i saj për të mbështetur analizën juridike duhet dalluar qartë nga marrja e vendimeve për zbatimin e ligjit.

“Ekziston një dallim i thellë mes përdorimit të inteligjencës artificiale për të kuptuar ligjin dhe përdorimit të saj për të përcaktuar se si duhet të zbatohet ligji. E para lidhet me informacionin, ndërsa e dyta me autoritetin”, deklaroi Qerimi.

Ai theksoi se autoriteti gjyqësor buron nga normat kushtetuese dhe nuk mund t'i delegohet një algoritmi, i cili mund ta interpretojë ose zbatojë gabimisht ligjin. Po ashtu, nënvizoi rëndësinë e sigurisë juridike, e cila garanton parashikueshmërinë dhe qartësinë e rregullave ligjore.

Në panel u diskutua edhe roli i Komisionit të Venecias në zhvillimin dhe interpretimin e së drejtës kushtetuese. Nënkryetarja e këtij komisioni, Renata Deskoska, theksoi se institucioni është shndërruar në një pikë të rëndësishme referimi për gjykatat kushtetuese, parlamentet, qeveritë dhe institucionet e tjera në Evropë dhe më gjerë.

Ajo sqaroi se Komisioni i Venecias nuk është gjykatë dhe as organ për monitorimin e zbatimit të traktateve, por ndikimi i tij në të drejtën kushtetuese është rritur përmes rekomandimeve dhe qëndrimeve që ndihmojnë institucionet në interpretimin e standardeve juridike.

“Sot, Komisioni i Venecias është pjesë e së drejtës së butë (soft law) dhe mund të ketë ndikim të konsiderueshëm interpretues. Me terminologjinë moderne, madje mund ta quajmë Komisionin e Venecias një ndikues në të drejtën kushtetuese. Megjithatë, ky ndikim nuk mbështetet në fuqinë për të imponuar qëndrime, por në aftësinë për të bindur”, tha Deskoska.

Diskutimet në këtë panel sollën në vëmendje sfidat me të cilat përballen gjykatat kushtetuese në një realitet gjithnjë e më kompleks, ku ndërthuren detyrimet ndërkombëtare, mbrojtja e të drejtave themelore dhe zhvillimi i teknologjisë. Mesazhi i përbashkët ishte se standardet ndërkombëtare dhe mjetet e reja teknologjike mund të kontribuojnë në forcimin e drejtësisë, por zbatimi i Kushtetutës, siguria juridike dhe autoriteti i gjyqtarit mbeten thelbësore për funksionimin e shtetit të së drejtës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat