Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri ka reaguar pas paralajmërimeve për kandidatura të mundshme për kryetar të këtij subjekti.
Haziri, ka deklaruar se viti 2027 do të jetë vit i zgjedhjeve të brendshme në këtë parti, duke bërë thirrje për demokraci, garë të drejtë dhe bashkim politik.
Përmes një shkrimi, Haziri ka theksuar se LDK-ja duhet të ruajë vlerat e saj politike dhe të jetë mirënjohëse për të gjithë ata që kanë kontribuar në ndërtimin e saj gjatë 37 vjetëve.
Ai ka vlerësuar se misioni i LDK-së duhet të jetë rikthimi i besimit të qytetarëve dhe bashkimi i shqiptarëve, duke ruajtur orientimin euroatlantik dhe marrëdhëniet e veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Haziri ka theksuar se gara për udhëheqjen e partisë duhet të zhvillohet në mënyrë demokratike, duke kundërshtuar debatet e parakohshme se kush është kandidati më i mirë, pa u hapur zyrtarisht procesi zgjedhor dhe pa u përcaktuar kalendari në të gjitha nivelet.
Sipas tij, secili që synon ta udhëheqë LDK-në duhet ta dëshmojë veten përmes suksesit, kontributit dhe meritës, ndërsa besimin duhet ta marrë nga votuesit e partisë.
Deputeti i LDK-së ka theksuar gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, duke e cilësuar Evropën si shtëpi të përbashkët dhe NATO-n si aleancën e vetme të sigurisë.
Në fund, Haziri ka bërë thirrje për mirëbesim, bashkëpunim dhe një marrëveshje të madhe politike, me synimin që procesi i ardhshëm zgjedhor të shërbejë për bashkimin e qytetarëve rreth LDK-së dhe vlerave që ajo përfaqëson.
Postimi i plotë:
Viti 2027 është vit i zgjedhjeve të brendshme me të gjitha vlerat të cilat i sublimon LDK.
Ne jemi parti e vlerave të demokracisë, garës së drejtë dhe mirënjohës për të gjithë ata që kontribuan e ndërtuan për 37 vite këtë aset kombëtar.
LDK është shtëpi e besimtarëve të saj, është besë e shpresë për Republikën e Kosovës dhe shqiptarët.
Misioni ynë duhet të arrihet deri në kthimin e besimit dhe bashkimin e shqiptarëve, duke qenë gjithmonë mirënjohës e falënderues për partnerët tanë, me vendosmërinë për marrëdhënie speciale me SHBA-të, me Evropën si shtëpi e përbashkët dhe NATO-n si aleanca e vetme.
Pa e hapur garën zgjedhore e kalendarin në të gjitha nivelet, nuk i kontribuojmë demokracisë së saj nëse shkaktojmë debat se kush është më i miri për garën e brendshme.
Secili që mundet, përmes shembullit personal të suksesit, kontributit e meritës, duhet të garantojë rikthimin e madh të LDK-së. Ai apo ajo le të ftohet nga votuesit për besim në garë.
Rruga evropiane e Kosovës kalon nëpër zyrat e LDK-së dhe partnerëve të saj. Koha për mirëbesim, bashkëpunim e marrëveshje të madhe, që gara e ardhshme zgjedhore t'i bashkojë të gjithë qytetarët në shpresë e besë për LDK-në dhe shqiptarët.