Bashkimi Evropian ka deklaruar sot se ligji për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Christian Wigand, ka thënë se mandati dhe pavarësia e Dhomave të Specializuara duhet të respektohen plotësisht.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës po e vënë drejtësinë në vend, bazuar në parimin e përgjegjësisë individuale penale”, tha ai duke shtuar se BE-ja e ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si institucion i pavarur gjyqësor.
“I bëjmë thirrje Kosovës që t'u përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe për të përmbushur zotimin për të siguruar llogaridhënie dhe për t'u ofruar drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Duhet të garantohet mbrojtja dhe siguria e dëshmitarëve”.
Reagimi i sotëm vjen një ditë pasi BE-ja shprehu “shqetësim të thellë” për votimin në Kuvend.
Kuvendi miratoi të martën në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke e përmbyllur kështu procedurën parlamentare për projektligjin e iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Dhomat kanë selinë në Hagë, por janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës. BE është mbështetësi kryesor financiar i tyre, me gati 400 milionë euro që nga themelimi.