Ahmeti: Presim rezultat pozitiv, anëtarësimi në KiE mund të ndodh gjatë këtij viti

Aktuale

Ahmeti: Presim rezultat pozitiv, anëtarësimi në KiE mund të ndodh gjatë këtij viti

Më: 26 mars 2024 Në ora: 22:59
Kreshnik Ahmeti

Një ditë para shqyrtimit të raportit për Kosovën për anëtarësim në Këshill të Evropës nga Komiteti për çështje politike dhe demokraci, Ministria e Punëve të Jashtme pret një rezultat pozitiv.

Zëvëndësministri i Jashtëm, Kreshnik Ahmeti, tha se raporti është opinion i cili thotë që Kosova duhet të anëtarësohet si anëtare e plotë e KiE-së si dhe nuk përmban parakushte.

“Kemi pasur pune intensive që ta kemi një raport pozitiv dhe pa parakushte dhe mund të them që është kurorëzuar suksesshëm kjo punë, kur them pozitiv raporti është opinion i cili thotë që Kosova duhet të anëtarësohet si anëtare e plotë e KiE-së ë për më tepër largohet fusnota. Kosova është trajtuar gjithmonë me fusnotë në Këshill të Evropës dhe pas anëtarësimit nuk do ta ketë atë. Dhe është paparakushte sepse janë përmbushur kriteret, standardet kushtet dhe parakushtet e paraqitura nga Asambleja Parlamentare e cila është organi që i paraqet ato ..Me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit ne i kemi përmbushur të gjitha ato. Prandaj është moment pozitiv”. tha Ahmeti.

Zëvëndësministri Ahemti, shprehet optimist se anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës mund të ndodh gjatë këtij viti.

“Mund të kemi anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës gjatë këtij viti sepse kemi treguar se i plotësojmë standardet vetë juristët eminentë e kanë thënë këtë si dhe vetë raportuesja rekomandon këtë. Kështu që nuk mbetët asnjë arsye që kjo të kundërshtohet”, tha Ahmeti.

Takimi i Komitetit për çështje politike dhe demokraci ku ta shqyrtojë raportin e Kosovës për anëtarësim në këtë këshill do të mbahet nesër nga ora 14:30.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat