Shahini: Për 3 muaj u shuan 400 biznese në Kosovë

Aktuale

Shahini: Për 3 muaj u shuan 400 biznese në Kosovë

Më: 26 mars 2024 Në ora: 22:11
Agim Shahini

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, tha se për tre muaj në Kosovë janë shuar 400 biznese.

Shahini tha se pavarësisht se gjatë vitit janë hapur 2800 biznese, janë 300 më pak krahasuar me vitin e kaluar.

“Brenda 3 muajve janë mbyllur rreth 400 biznese dhe kjo është një lajm i keq për neve dhe tërë Kosovën sepse pavarësisht që janë hapur brenda këtij viti rreth 2800 biznese prapë janë më pak rreth 300 biznese në krahasim me vitin e kaluar që janë hapë. Bizneset realisht ato çka vet deklarojnë janë biznese të cilat supozohet që kanë pasur nga 1 deri 3 të punësuar dhe arsyet pse janë të mbyllura i japin disa siç është humbja e fuqisë në tregun konkurrues, e cila është mjaft e rëndësishme, konkurrenca jo e drejtë, mungesa e mbështetjes financiare me kushte të volitshme dhe këtu flitet për interesin bankar i cili është më i larti në Evropë, kjo e bënë që Kosova të jetë një nga vendet që ka interesin bankar më të lartin në Evropë dhe na bënë jokonkurrent”, tha Shahini.

Ai tha se arsye tjetër e mbylljes së bizneseve është edhe mungesa e punëtorëve.

“Po ashtu bizneset deklarojnë se ka pasur edhe prej atyre që ka pas mungesë të punëtorëve, që kanë qenë të lidhura me shërbimet e veta nëpër institucionet e Republikës së Kosovës e që janë ndalur investimet, biznese që janë mbyllur për shkak se disa kanë ikur nga Kosova si gastronomi, ndërtimtari etj. dhe gjithë këto e bëjnë që Kosova vërtetë të angazhohet më shuam për të krijuar një klimë më të përshtatshme mjedisore në mënyrë që tregu ekonomik i Kosovës të jetë më konkurrues dhe më interesant për investitorët e huaj”, tha Shahini.

Ndërsa, sa i përket rritjes ekonomike që e ka shënuar Kosova, Shahini tha se pavarësisht asaj, GDP-ja për kokë banori mbetet më e ulëta në rajon krahasuar me shtetet tjera.

“Përkundër të gjitha përpjekjeve që janë bërë, Kosova renditet nj nga vendet më të varfra në Evropë, dhe varfëria e Kosovës në vitin 2023 është matur në shumë parametra duke shikuar GDP-në e cila pavarësisht që rritja e ekonomike tek ne është më e larta në Ballkan, prapë mbetet më e ulëta për kokë banori, rreth 3500 dollarë në krahasim Serbia që e ka 10 mijë e 300 dollarë, ne pavarësisht se e kemi rritjen më të madhe, e kemi bazën më të ulët”, tha Shahini.

Ndërsa i pyetur nëse ka biznese që investimin vet e kanë dërguar jashtë Kosovës, Shahini tha se vetëm vitin e kaluar rreth 100 milionë euro janë investuar jashtë Kosovës për shkak të sigurisë më të madhe.

“Ka shumë biznese që nga Kosova kanë investuar jashtë. Sipas një studimi tonë në vitin e kaluar mbi 100 milionë euro bizneset e Kosovës i kanë investuar jashtë Kosovës dhe ato investime neve na kanë ikur nga Kosova dhe ato ish dashtë t’i kemi brenda Kosovës por këta kanë gjet një siguri më të mirë, masa lehtësuese dhe investuese po ashtu edhe garancione të cilat iu ka dhënë shtetet për investime dhe interesi i bankave ka qenë shumë më i ulët se në vendin tonë”, theksoi Shahini.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat