Studentit ganez po i pëlqen jeta në Kosovë

Aktuale

Studentit ganez po i pëlqen jeta në Kosovë

Më: 26 mars 2024 Në ora: 20:49
Issaka Issifu

29 vjeçari, Issaka Issifu zgjodhi fakultetin juridik në kuadër të Universitetit të Prishtinës për të studiuar drejtësi tranzicionale. Ganezi ka mbetur i befasuar nga mikpritja e kosovarëve, madje ka nisur të mësoj edhe gjuhën shqipe.

Nga Afrika perëndimore erdhi në Kosovë.

Issaka Issifu, 29 vjeç, vendosi që një semestër ta vazhdoj në Universitetin e Prishtinës, fakultetin juridik, në kuadër të studimeve për drejtësi tranzicionale.

Ganezi thotë se është i befasuar me mikpritjen e kosovarëve.

“Më është ofruar një mundësi shumë e mirë këtu për të studiuar drejtësi dhe për të drejtat e njeriut, prandaj kam vendosur të vij këtu. Është një vend shumë i mirë dhe kam bërë shumë shokë, me të vërtetë nuk e kam pritur të jetë kështu. Të gjithë po sillen mirë me mua dhe më kanë ndihmuar më gjëra të ndryshme”, tha studenti Issaka Issifu.

Issifu tregon se çka i pëlqen më së shumti në Kosovë.

“Më së shumti më pëlqen ushqimi tradicional këtu, keni ushqime shumë të mira edhe më të vërtet po i shijoj. Deri më tani kam provuar ushqime të ndryshme tradicionale”, u shpreh Issifu.

29 vjeçari thotë se kur të kthehet në Ganë pas përfundimit të studimeve synon të përfshihet në politikë për të kontribuar për shoqërinë ganeze.

“Politikën e shoh si mundësi të mirë për të kontribuar për shoqërinë time. Kam dëshirë të luftoj për të drejtat e njeriut dhe të marr vendime të mira për qytetarët. Si një i ri besoj jashtëzakonisht shumë ne vlerat e demokracisë. Andaj kam shumë dëshirë që në ardhmen të kem ndikim pozitiv në vendin tim”, deklaroi studenti Issifu.

Ganezi ka nisur të mësoj edhe disa fjalë në gjuhën shqipe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat