Nëna la djalin 3-vjeçar vetëm në banesë për të shkuar në ditëlindje, flasin nga Prokuroria dhe Qendra për Punë Sociale

Aktuale

Nëna la djalin 3-vjeçar vetëm në banesë për të shkuar në ditëlindje, flasin nga Prokuroria dhe Qendra për Punë Sociale

Më: 19 mars 2024 Në ora: 11:29
Pamje nga Fushë Kosova

Një grua nga Fushë Kosova ka përfunduar në mbajtje për 48 orësh, pasi e njëjta kishte lënë djalin e saj 3-vjeçar, të vetëm në banesë gjatë natës.

E njëjta kish deklaruar në polici se fëmijën e ka lënë vetëm duke menduar se ai nuk do të zgjohet natën, dhe se ajo kishte shkuar në një festë për ditëlindje pas orës 22:00.

Lidhur me rastin, fqinjët kanë lajmëruar Policinë e Kosovës, pasi fëmija kishte filluar të qante. Pas kësaj, policia së bashku me punëtorët e Qendrës Sociale kishin vizituar fëmijën, dhe kishin dërguar atë te disa familjarë.

Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Fushë Kosovë, Abaz Xhigoli, bëri të ditur se tashmë fëmija ndodhet te babai i tij, i cili është kthyer nga Sllovenia, pasi ka kuptuar situatën.

“Fëmija është marrë nga policia dhe punëtorja sociale ka bërë investigimin e fëmijës. Pas kësaj, nëna është dërguar në mbajtje. Ne jemi kujdes me dërgu te familjarët e tij, djalin trevjeçar. Djali tash është te babai i tij, i cili është kthyer nga Sllovenia”, tha ai.

Për rastin u deklaruan edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë të cilët njoftuan se tashmë nëna e djalit  është liruar pasi ka qenë në mbajtje për 48-orësh.

“Lidhur me këtë rast ju informojmë se fillimisht, Prokurori i Shtetit ka ndaluar të dyshuarën (prindin e fëmijës) për shkak të veprës penale “Keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës”, sipas KPRK-së. E dyshuara ka qëndruar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh, derisa kemi pranuar kallëzim për këtë çështje penale dhe pas analizimit të të njëjtit, rasti është duke vazhduar të trajtohet në procedurë të rregullt”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

Ajo gjithashtu tha se Prokuroria është duke ndërmarrë veprime në koordinim me policinë dhe me Qendrën për Punë Sociale.

Ndryshe, policia kishte njoftuar se rasti ka ndodhur me 14 mars në Fushë Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat