Prokurorit Rasim Maloku i demolohet shtëpia, disa persona futen brenda me forcë

Aktuale

Prokurorit Rasim Maloku i demolohet shtëpia, disa persona futen brenda me forcë

Më: 4 mars 2024 Në ora: 17:53
Prokurori Rasim Maloku

Persona të panjohur janë futur me forcë në shtëpinë e prokurorit të Ferizajt, Rasim Maloku, gjatë ditës së diel, merr vesh media.

Të njëjtit kanë arritur të hyjnë brenda përmes dritareve, ku edhe kanë demoluar shtëpinë në tërësi. Rastin për dëmtimin e pronës e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

Siç pohon policia, rasti ka ndodhur të dielën në mbrëmje rreth orës 19:00. Hetimet edhe në këto momente janë duke vazhduar për identifikimin e të dyshuarve.

Media ka tentuar të marrë një përgjigje nga vetë Maloku lidhur me këtë çështje, por i njëjti nuk ka qenë i çasshëm.

Maloku, është njëri ndër personat më të njohur në vend për hetimin e aferës “Brezovica”.

Pikërisht për hetimin e kësaj afere, Maloku ishte kërcënuar me vrasje. Kërcënuesi përmes telefonit kishte “urdhëruar” Malokun që të lirohet ish-kryetari i Kaçanikut, Xhabir Zharku, në të kundërtën do të ketë rrezik për jetën e tij dhe të familjes.

Maloku atë kohë ishte duke e hetuar Xhabir Zharkun dhe ndërtimet pa leje në Brezovicë.

Për këtë kërcënim pati reaguar edhe zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, është njoftuar se prokurori i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Ferizajt, Rasim Maloku, nëpërmjet një mesazhi telefonik ka pranuar sërish kërcënime me likuidim fizik të familjarëve të tij”.

Sipas Prokurorisë këto kërcënime serioze ndaj prokurorit Maloku, vijnë si rrjedhojë e veprimeve të ndërmarra nga ai gjatë ushtrimit të detyrave si prokuror.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat