Vitia: Qeveritë e papërgjegjshme kanë paguar ekspertë të padijshëm për të trajnuar stafin e FSSH-së

Aktuale

Vitia: Qeveritë e papërgjegjshme kanë paguar ekspertë të padijshëm për të trajnuar stafin e FSSH-së

Më: 29 shkurt 2024 Në ora: 13:35
Foto ilustrim

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka akuzuar qeveritë e mëparshme duke i quajtur të papërgjegjshme për veprimet e gabuara që kanë ndërmarrë në sektorin e shëndetësisë. Ai ka thënë se në Kosovë janë paguar ekspertë për të trajnuar stafin në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, të cilët siç tha ai, më pas janë parë që s’dinë as për vete.

Duke i replikuar deputetit të AAK-së, Shemsedin Dreshaj për kritikat që i ka dhënë lidhur me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, Vitia ka thënë se kanë punuar shumë më shumë në këtë drejtim, krahasim me qeveritë e mëparshme.

Vitia: Janë paguar ekspertë për të trajnuar stafin në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, të cilët nuk dinë as për vete

“Ka staf të pa trajnuar, punësime të militantëve, punësime të familjarëve, por a e di se çfarë ka ndodhur profesor? Janë paguar ekspertë për të trajnuar stafin në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, ekspertë të cilët pastaj është parë që nuk dinë as për vete dhe është paguar për t’i trajnuar ekspertët, për të shkuar për t’i trajnuar stafin e Fondin e Sigurimeve Shëndetësore. Fatkeqësisht kjo ka ndodhë që unë pajtohem komplet me konkluzat e juaja, staf i pa trajnuar, por kur i kanë bërë qeveritë e papërgjegjshme këto, nuk kam fjalë”, tha Vitia.

Në seancën e Kuvendin në të cilën po diskutohet për sektorin e shëndetësisë, Vitia ka thënë se Fondi i së kaluarës nuk ka pasur kapacitetet asnjëherë për të bërë procesin e sigurimeve shëndetësore.

Vitia: Ky Fond nuk ka pasur kapacitet asnjëherë për të bërë procesin e sigurimeve shëndetësore

“Ky Fond nuk ka pasur kapacitet asnjëherë për të bërë procesin e sigurimeve shëndetësore. Aty vetëm është grumbulluar një bord, shpreh 30 milionë euro, rast i cili është në prokuroi dhe jemi në pritje të shohim procesin gjyqësor natyrisht. Qeveritë e kaluara janë përpjekur t’ia nisin edhe me mbledhjen e premiumeve pa asnjë përgatitje dhe pa bazë ligjore. Mbi të gjitha paramendojeni duke ia marrë paret qytetarëve nga paga e tyre edhe duke mos siguruar asnjë shërbim të ri, apo cilësi, rritje cilësie të këtyre shërbimeve. Ne kemi qenë kundër atëherë, për besë jemi kundër edhe tash... Besomëni me gjithë atë që kam menduar se kam qenë shumë mirë i informuar kur kam marrë detyrën si ministër gjendja brenda në Fond e kam gjetur edhe më keq dhe jam befasuar edhe për më keq”, deklaroi Vitia.

Minsitria Vitia, derisa ka treguar për punën e bërë përgjatë viteve të fundit, u shpreh se një pjesë e mandatit të tij, ka shkuar duke e zgjedhur problemin me COVID-19.

Vitia: Kushdo që thotë që kanë kaluar tri vite, është ose dashakeqës ose ka nevojë që të ri-shohë lajmet e viteve 2020, 2021, 2022

“Në fushatën e vitit 2021 premtimi im kryesor i kësaj qeverisje të përgjegjshme ka qenë menaxhimi i pandemisë me sigurimin e vaksinave dhe vaksinimin e qytetarëve mbi masën 60%, deri në fund të vitit 2021, gjë të cilën e kemi arritur me sukses të plotë. Deri në mesin e vitit 2022 e gjithë shoqëria dhe gjitha institucionet jo vetëm shëndetësore por sidomos ato shëndetësore janë marrë kryesisht me menaxhimin pandemisë nga pikëpamje të ndryshme sepse çdo sektor ka qenë i varur nga ky menaxhim dhe vaksinimin e qytetarëve. Kushdo që thotë që kanë kaluar tri vite, është ose dashakeqës ose ka nevojë që të rishohë lajmet e viteve 2020, 2021, 2022 për të kujtuar se në çfarë kemi kaluar deputetë të nderuar. Ne si qeverisje e përgjegjshme po e mbyllim mandatin katërvjeçar, por si qeverisje ne e kemi kaluar krizën më të madhe shëndetësore që jo vetëm Kosova por e ka parë edhe bota në një shekull”, tha Vitia.

Mes tjerash, Vitia ka thënë se gjatë ardhjes së tij në qeveri, nuk e kanë gjetur asnjë hap të bërë në drejtim të sigurimeve shëndetësore.

Vitia: Asnjë hap në drejtimin e duhur nuk e kemi gjetur për sa i përket sigurimeve shëndetësore

“Deputetë të nderuar asnjë hap në drejtimin e duhur nuk e kemi gjetur për sa i përket sigurimeve shëndetësore...Është shumë e vërtetë se krijimi i Fondit paraqet një kompleksitet të gjërave nga çdo këndvështrim dhe çdo dështim në përpjekje për ta funksionalizuar Fondin ashtu siç duhet mund të sjellë pasoja katastrofike dhe shtyrje të këtij procesi të rëndësishëm. Prandaj nuk ka më eksperimente, jo më veprime pa analiza, jo më tallje me qytetarë, jo më shpenzime marramendëse të parave publike pa asnjë rezultat, jo më përpjekje për të futur duart në pagat e qytetarëve pa krijuar parakushte. A mund te ketë vonesa, është mundet, por vetëm kur jemi të sigurt që janë marrë të gjitha masat, ne do të veprojmë...Ligji ri, protokollet klinike, sistemi informativ shëndetësor, rregullimi infrastrukturës aktuale spitalore, rritja e cilësisë në menaxhim, dhe të tjerat po shkojnë paralel deri te momenti i krijimit të Fondit”, tha Vitia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat