Dalin pamjet nga vendi i bastisjes në pronat e Mujkës dhe Muzilukajt

Aktuale

Dalin pamjet nga vendi i bastisjes në pronat e Mujkës dhe Muzilukajt

Më: 14 korrik 2023 Në ora: 13:52
Fauk Mujka

Policia e Kosovës, Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka kryer bastisje në dy lokacione, pronë e dy të dyshuarve Faruk Mujka dhe kryeshef i “Ibër Lepencit” dhe Hysen Muzliukaj, i cili në kohën kur po dyshohet për korrupsion ka qenë drejtor në Kadastër dhe Gjeodezi në Komunë të Mitrovicës.

Ekipi i mediumit publik solli pamje nga vendi i bastisjes së pronës së Faruk Mujkës dhe të Hysen Muzliukajt. Ndërsa, familjarët nuk kanë dashur të flasin për rastin.

Policia e Kosovës, Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka kryer bastisje në dy lokacione, pronë e dy të dyshuarve F.M.dhe H.M.

Image
Foto nga vendngjarja

Kjo është bërë me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila sot ka lëshuar Urdhëresa për bastisje nga Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti Special. “Gjatë bastisjes në njërin lokacion, ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar shuma e të hollave prej gjashtëdhjetë mijë (60.000.00) euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Tutje Prokuroria Speciale njofton se ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit F.M dhe H.M, në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit.

Image
Foto nga vendngjarja

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës lidhur me këtë rast njofton se në maj të vitit 2022 ka pranuar informacione, lidhur me dyshimet për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga dy persona, në atë kohë pjesë e strukturave udhëheqëse në komunën e Mitrovicës së Jugut. Menjëherë pas pranimit të këtyre informacioneve PSRK ka autorizuar Policinë e Kosovës, për ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim mbledhjen e provave.

“Pas marrjes së informacionit në bazë të autorizimeve të PSRK-së, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, ndërsa me datë 03.07.2023, ka paraqitur Kallëzim Penal ndaj zyrtarëve me inicialet F.M. dhe H.M., me dyshimin se gjatë kohës sa ishin pjesë e udhëheqësisë në komunën e Mitrovicës së Jugut, gjatë vitit 2021, janë përfshirë në kryerjen e veprës penale ‘’Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’’, e sanksionuar me nenin 414 të Kodit Penal të Republikë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Image
Foto nga vendngjarja

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat