Vdiq ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright

Aktuale

Vdiq ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright

Më: 23 mars 2022 Në ora: 19:41
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, gjatë një fjalimi në Prishtinë, në 20-vjetorin e disklokimit të trupave të NATO-s në Kosovë. 12 qershor 2019.

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, ka vdekur të mërkurën, në moshën 84-vjeçare.

Ajo vdiq nga kanceri, u bë e ditur në një njoftim të publikuar nga familja Albright në rrjetin social Twitter.

“Ajo ishte e rrethuar nga familjarët dhe miqtë”, u tha në deklaratën e familjes Albright.

Albright u lind në Pragë të Çekosllovakisë së atëhershme më 15 maj 1937. Së bashku me familjen e saj shpërngul në SHBA më 1948.

Madeleine Albright ishte gruaja e parë e zgjedhur në këtë post më 1997. Në këtë post shërbeu deri në vitin 2001, në administratën e Bill Clinton.

Albright ka qenë në Sekretare e Shtetit në kohën kur janë kryer sulmet e NATO-s mbi caqet serbe, që kanë çuar në çlirimin e Kosovës.

Gjatë një interviste dhënë për Radion Evropa e Lirë më 2009, Albright kishte thënë se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte bërë "në emër të lirisë".

“Kësisoj, e çuam NATO-n në një luftë të gjatë 78 ditëshe. Ishte shumë thelbësore, sepse bëhej në emër të lirisë për njerëzit që përndiqeshin nga shtëpitë e tyre apo që vriteshin. Me këtë u dëshmua edhe vlefshmëria e misionit të ri për NATO-n”, kishte thënë Albright.

Albright vizitoi Kosovën në korrik të vitit 1999, një muaj pas përfundimit të luftës.

“Duke u ngritur kundër [ish-liderit serb, Sllobodan]Millosheviqit, i kemi ulur gjasat për një vullnet të ri të Millosheviqit. Duke ndërtuar paqen në Kosovë, ne do të ndihmojmë në stabilizimin e Ballkanit dhe në këtë mënyrë do të kontribuojmë në një Evropë të tërë dhe të lirë”, ka thënë atëbotë Albright.

Për kontributin e saj për pavarësinë e Kosovës, në Prishtinë, më 2019, në përvjetorin e 20-të të hyrjes së trupave të NATO-s, u zbulua në Prishtinë busti për nderë të saj.

Gjatë fjalimit në Prishtinë më 12 qershor të vitit 2019, Albright deklaroi se vendimi për të ndërhyrë në Kosovë “ishte i drejtë”.

​“Aleanca jonë ishte e bashkuar dhe e fortë dhe më e rëndësishmja është se ia dolëm për arsye se kauza e jonë ishte e drejtë dhe për arsye të qytetarëve të Kosovës përtej të gjitha pyetjeve, praktikave dhe politikave", ishte shprehur ish-sekretarja Albright.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u shpreh se është e tronditur nga lajmi për vdekjen e Albright, e cila tha se ishte “mike e madhe e Kosovës”.

“Ajo na dha shpresë, kur nuk e kishim atë, u bë zëri ynë e krahu ynë kur nuk kishim as zë e as krah. E njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, tha Osmani përmes një postimi në Facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat