Kurti për integrimin: Kriteret e BE-së t’i trajtojmë me seriozitet, përgjegjësi për dështimet

Aktuale

Kurti për integrimin: Kriteret e BE-së t’i trajtojmë me seriozitet, përgjegjësi për dështimet

Më: 21 maj 2021 Në ora: 11:04
Pamje nga vendi i ngjarjes

Kërkesat dhe kriteret që dalin nga procesi i integrimit në Bashkimin Evropian për vendin tonë në kuptimin e standardeve që duhen arritur dhe plotësuar do të trajtohen me seriozitetin e duhur dhe me përkushtimin e nevojshëm.

Kështu tha kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e parë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian.

Në mbledhjen të cilin e drejtoi kryeministri Kurti theksoi se aspiratat tona shtetërore për të qenë një shtet i zhvilluar me ekonomi të qëndrueshme dhe vend demokratik ku sundon ligji dhe drejtësia, standardet e Bashkimit Evropian duhet të jenë udhërrëfyes.

Kurti: Qeveria jonë ka vullnet dhe përkushtim t’i përmbush kriteret

“Agjendën e integrimit evropian duhet ta shohim si pjesë integruese të agjendës qeveritare dhe shtetërore. Ne nuk duhet ta shohim procesin e integrimit evropian nga distanca si qëllim në vete, si detyra që BE-ja na ka caktuar, e të cilat duhet t’i arrijmë ashtu që në fund të shpërblehemi, përkundrazi, duhet ta shohim si një mundësi që ne e kemi për t’u reformuar, për t’u zhvilluar dhe për të arritur standardin demokratik, ekonomik dhe mirëqenien tonë. Pronësia e reformave që kërkohen mbetet te ne dhe ne duhet të veprojmë në përputhje me përgjegjësitë që kemi marrë. Përmbushja e shumë kritereve e standardeve varet nga vullneti dhe përkushtimi ynë për t’i kryer ato. Qeveria jonë ka këtë vullnet dhe përkushtim dhe do të angazhohemi fuqishëm që ta materializojmë atë”, theksoi Kurti.

Shefi i ekzekutivit po ashtu tha se agjenda e integrimit evropian duhet të jetë e mishëruar në planet e punës të secilit institucion dhe zyrtarë në institucionet tona. Kurti kërkoi nga përgjegjësit që të lexohen raportet për vendin të përpiluara nga Komisioni Evropian në fushat e përgjegjësisë dhe t’i adresojnë gjetjet.

Kurti: Kërkoj përgjegjësi nga ministrat për dështimet dhe vonesat

“Një nga përfitimet direkte të qenit në proces të integrimit në Bashkimin Evropian, është edhe skanimi dhe pasqyrimi i punës që na bëhet nga BE në secilën fushë e për çdo vit. Kjo në fakt e lehtëson shumë punën tonë, por edhe punën time, sepse e kam më të lehtë të shoh progresin dhe të kërkoj përgjegjësinë nga secili prej jush aty ku ka dështime e vonesa. Pra, do të kërkohet përgjegjësia nga ministrat për reformat konkrete që duhet të udhëhiqen e zbatohen, por edhe nga të gjithë zyrtarë publikë në pajtim me mandatin dhe përgjegjësinë e secilit”, tha ai.

Koordinimi i këtij procesi është vendosur në përgjegjësinë e zëvendëskryeministrit të parë, Besnik Bislimi, i cili tha se tri shtyllat në të cilat bazohet agjenda e reformave evropiane ERA II janë të njëjta me ato të prioritete që ka pasur Qeveria Kurti 2 në fushatë dhe në fillim të mandatit qeverisës.

Bislimi ka përmendur se prioriteti i parë është sundimi i ligjit për luftimin e krimit dhe korrupsionit, pastaj reforma e administratës publike, mbrojtja e lirive themelore të qytetarëve, reforma zgjedhore dhe ekonomia.

Bislimi: Prioriteti i parë ka të bëjë me sundimin e ligjit

“Shtylla e parë që për ne është prioritet i angazhimit ka të bëjë me sundimin e ligjit apo qeverisjen e mirë dhe brenda kësaj shtylle kemi katër prioritete, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, reforma e mëtejme e administratës publike, mbrojtja e lirive themelore të qytetarëve, dhe shtylla e katërt që ndërlidhet me avancimin e mëtejmë të demokratizmit që i referohet reformave të nevojshme në procesin zgjedhor apo avancimin e procesit zgjedhor. Në prioritet e Qeverisë Kurti, krahas rendit dhe ligjit, prioritet maksimal ka edhe ekonomia apo punësimi, dhe kjo është e pasqyruar në shtyllën e dytë të prioriteteve të ERA II, apo agjendës së reformave evropiane”, theksoi Bislimi.

Zëvendëskryeministri Bislimi ka përmendur edhe prioritetet e tjera, për forcimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, rritja e ekonomike, mbrojtja e ambientit, reforma për financat publike.

Po ashtu, prioritet sipas tij, mbetet forcimi i mekanizmit për një konkurrencë të drejtë në ekonomi, luftimi i informalitetit si dhe rimëkëmbja ekonomike e shkaktuar si pasojë e pandemisë COVID-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat