Majlinda për TIME: Ja çfarë do bëj kur ta lë xhudon

Xhudo

Majlinda për TIME: Ja çfarë do bëj kur ta lë xhudon

Më: 11 gusht 2016 Në ora: 10:14
Majlinda Kelmendi nga Kosova fiton medalje të artë pas fitores në konkurrencën femra 52-kg në xhudo në Olimpiadën e Verës 2016 në Rio de Janeiro, Brazil, të dielën, 7 gusht, 2016.

Majlinda Kelmendi ka dhënë një intervistë për revistën prestigjioze javore amerikane TIME dhe ka thënë se “ende nuk po mund ta besoj se më të vërtetë ka ndodhur”, kur ka folur për ngjitjen në podium dhe pasjen e medaljes së artë rreth qafe.

“Ishte një moment i mrekullueshëm, diçka që gjithmonë kam ëndërruar, por ende nuk mund ta besoj se ka ndodhur”, ka thënë Majlinda për TIME.

“Në Kosovë kam parë se të gjithë po festojnë. Nuk mund ta imagjinoj se si do të festohet kur të kthehem atje”.

“Familja ime janë krenarë për mua dhe e kam shijuar edhe unë faktin se i kam bërë krenarë, sidomos prindërit e mi”.

“Për një kohë të gjatë atletët e Kosovës nuk kanë pasur mundësinë e përfaqësimit të vendit, ndaj është e mrekullueshme që në Olimpiadën e parë rrëmbyem të artën”.

Majlinda ka folur edhe për kohën kur kishte përfaqësuar Shqipërinë në lojërat e kaluara olimpike.

“Ne jemi i njëjti popull sikur në Shqipëri. Prandaj garimi për Shqipërinë dhe tani për Kosovën tregon se unë kam përfaqësuar popullin tim gjithmonë”.

TIME shkruan edhe për pakënaqësinë e Serbisë për fitoren e Majlindës dhe raportimin e shtrembëruar të mediave në Serbi.

E pyetur nga TIME se cilat janë planet e saj për të ardhmen, Majlinda ka thënë se e ka ndërmend të marrë pjesë edhe në Lojërat Olimpike në Tokyo2020, por kur ta përfundojë karrierën, atëherë do të merret me gjeneratat e reja për t’u treguar “bukurinë e sportit të xhudos”.

“Përgatitjet për Olimpiadë janë të vështira. Unë ushtroj çdo ditë prej katër deri në gjashtë orë që shumë vite – por kam parë që puna shpaguhet. Dua të fitoj krejt çka fitohet në xhudo në këto vite që më kanë mbetur ndaj do të vazhdoj të punoj fort”.

Për TIME ka folur edhe trajneri i Majlindës, Driton Kuka. Ai ka thënë se kur Majlinda fitoi të artën është ndjerë “sikur në ëndërr”.

Majlinda ka thënë se kohën që i ka mbetur në Rio e ka ndërmend ta kënaq pak veten dhe të shijojë bukuritë e Rios, para se të kthehet në Kosovë si heroina olimpike e vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat