Krasniqi: Kosova u bë temë diskutimi në Japoni, i kemi kaluar pritshmëritë – por presim medalje tjera

Xhudo

Krasniqi: Kosova u bë temë diskutimi në Japoni, i kemi kaluar pritshmëritë – por presim medalje tjera

Më: 26 korrik 2021 Në ora: 17:16
Ismet Krasniqi

Kosova po vazhdojë të shkëlqejë në Lojërat Olimpike në “Tokio 2020”.

Dy medalje të arta janë fituar deri tani, një nga Distria Krasniqi e tjetra nga Nora Gjakova, të dyja në sportin e xhudos.

Kryetari i Komitetit Olimpik, Ismet Krasniqi është shprehur shumë i lumtur me arritjet e sportistëve në “Tokio 2020”.

Sipas tij, Kosova ka tejkaluar pritshmëritë në këto Lojëra Olimpike, andaj është tejet i lumtur.

Ai e vlerësoi lartë angazhimin e trajnerit, Driton Kuka dhe tha se medaljet e fituara nga Distria Krasniqi e Nora Gjakova ia kanë dhuruar një ndjenjë krenarie, që nuk mund të zëvendësohet.

“Distria të shtunën dhe Nora sot na kanë bërë krenarë ne që jemi këtu, e kanë bërë krenare Kosovën dhe gjithë shqiptarinë. Medaljet e arta janë rezultat i punës dhe meritave të trajnerit Driton Kuka, falë të cilit tani kemi tri medalje olimpike dhe jemi ndër shtetet e vogla me më së shumti medalje të arta. Nuk ka ndjenjë më të mirë që mund ta zëvendësojë krenarinë që Distria e Nora ia kanë sjell vendit tonë. Në këto tri ditë, Kosova e vogël është bërë temë diskutimi në Japoni, ku e gjithë bota e sportit ndodhet këtu”, tha fillimisht Ismet Krasniqi.

Krasniqi më pas theksoi se Kosova mund të fitojë edhe medalje tjera me sportistët që do të garojnë në ditët e ardhshme.

“Para nisjes për në Tokio kemi thënë që nëse e fitojmë vetëm një medalje olimpike do të ishte sukses i madh për ne. Tashmë i kemi dy, dhe ato të dyja të arta. Qëllimi është arritur, pritshmëritë janë tejkaluar, por medaljet mund të mos jenë të fundit, sepse të enjten garon edhe xhudistja e fundit, Loriana Kuka, e cila po ashtu mund të na sjell medalje. E kemi edhe Donjeta Sadikun, boksieren që garon neser, ku presim edhe nga ajo të hyjë në zonen e medaljeve, si dhe mundësin Egzon Shala që e ka fituar normen olimpike”, përfundoi i pari i KOK’ut, Ismet Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat