Drita përforcohet me një amerikane!

Volejboll

Drita përforcohet me një amerikane!

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 6 tetor 2016 Në ora: 16:51
Lorik Ilazi e Capri Richardson

Drita e Gjilanit është përforcuar me volejbollisten nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Capri Richardson.  Ky është përforcim i madh për gjilanaset dhe i bënë edhe më të forta në vazhdim të kampionatit. Kryetrajneri i kampiones dhe fitueses së Kosovës, Drita, Lorik Ilazi, deklaroi për gazetën kombëtaren “Bota sot” se nuk do të jetë ky si përforcim i fundit për klubin e tij. “Capri Richardson është lojtare e re e Dritës. Ajo vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është lojtare e kualifikuar. Ajo ka luajtur në kolegjin Montana në SHBA, kurse vitin e fundit në Superligën e Austrisë”, tha Ilazi. Me këtë përforcim Drita mëton t’i mbrojë të gjitha trofetë madje edhe një paraqitje sa më të denjë në garën prestigjioze në Champions League. “Synojmë mbrojtjen e titullit dhe Kupën e Kosovës, si dhe të përfaqësohemi sa më denjësisht në garat evropiane”, ka thënë Ilazi. A mendoni se nuk do të keni konkurrencë në ligën e Kosovës? “Ne do të punojmë maksimalisht që të jemi prapë në pozitën e parë dhe pa humbje siç ishte vitin e kaluar”, shprehet optimist Ilazi. Drita me 18 tetor do të zhvillojë ndeshjen e parë në Champions League, e cila për rivale ka ekipin nga Bullgaria Maritza Plovdiv, ndërsa me 22 tetor do të luajnë takimin e kthimit. Ilazi shpreson se do të përgatiten maksimalisht deri në zhvillimin e ndeshjes së parë. “Për ne kjo garë është një garë shumë e vështirë dhe normalisht se i kemi në garë ekipet më të forta botërore, por ne synojmë që të paraqitemi sa më mirë, pse jo nëse mundemi edhe të fitojmë”, përgjigjet ai. Mirëpo, Drita do t’i ketë mungesë dy motrat Prenga me përvojë dhe të kombëtares së Shqipërisë, Amarildën dhe Arjolën, por motra më e vogël Adelajda është pjesë e ekipit. “Adelajda do të jetë dhe është pjesë e ekipit tonë, kurse Arjola ka pranuar ofertë në Turqi dhe ka vendosur atje, Amarilda për shkaqe objektive nuk luan këtë vit”, thotë Ilazi.  Të hënën që e lamë pas Drita startoi me fitore si vendas me rezultat 3:1 kundër Skenderajt, e cila ka qenë edhe derbi i stinorit vjeshtor. Gjlanaset në hapje dëshmuan se janë në formë të mirë dhe besojnë e shpresojnë se do të rrisin nivelin edhe më lart për ballafaqimin e parë të Champions Leagues.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat