Muaj maj me rikthen në kujtime të paharruara!

Sporti

Muaj maj me rikthen në kujtime të paharruara!

Nga: Shkruan: Fadil Beqiraj Më: 6 maj 2016 Në ora: 17:17

Debate
Në kohën e studimeve në Prishtine gjatë viteve 1985-89 në hallën e sporteve “25 Maj” siç quhej atëherë (tani “1 Tetori’) kjo palestër, kemi kaluar shumë kohë duke luajtur futboll në turne të ndryshme që organizonim, pastaj gjithmonë ishim simpatizues të skuadrës së basketbollit të vashave të Universitetit të Prishtinës që ishte krenaria jonë në krye me basketbollisten Resmije Juniku me bashkelojtaret e saj. Ne si futbollist, unë, Petrit Nushi, Muharrem Lajqi , Gegë Lleshi ishim të lidhur ngushtë me këtë palestër dhe ishim të mishëruar sepse çdo aktivitet sportiv dhe kulturor në këtë palestër, ne ishte e pamundur të mos jemi prezent pra ishim dashuruar në hallën e sporteve “25 Maj” në Prishtinë.

Vit pas viti situata keqësohej, por ne e donim sportin dhe palestrën sepse patëm shumë ndeshje që nuk harrohen kurrë, sidomos atëherë kur luanin vashat e Universitetit që ishte diçka madhështore, kishte diçka më tepër se basketbolli, ishte ajo fryma patriotike që shprehnim përmes basketbollit. Në fund të vitit 1988 kur minatorët u futen ne zgafella në minierat e Trepçës në Mitrovicë, si shumë student në përkrahje të minatorëve, ndër të parët ne u futëm në grevë urie në ‘25 Maj’ Petrit Nushi, Fadil Beqiraj, Mark Noshi, Haxhi Beqiraj, Zenun Haziraj, Gegë Lleshi, Prenka që tash nuk po më kujtohet mbiemri dhe për 7 ditë dhe netë ne kemi qenë ditë e natë në këtë palestër në mbështetje të minatorëve.

Ishte kjo palestra e jonë, që tani nuk mund të luanin dhe të përkrahnin sidomos vashat e basketbollit të Universitetit por kësaj radhe përkrahnim dhe mbështetnin një çështje më madhore kombëtare në ato kohë të rënda dhe të vështira që kalonim të gjithë si student ne Universitetit e Prishtinës. Okupatori serb na ndaloj të luajmë, na ndalojë të studiojmë dhe deshi të na ndalojë çdo gjë bile edhe të protestojmë dhe të jetojmë, por studentët asnjëherë askush nuk ka mund t’i ndalojë drejt synimeve të veta. E tash kur po bëhen mbi 26 vite prej asaj kohe nuk mund të mos jem shumë i lumtur për pranimin e Kosovës në UEFA e nesër në FIFA, sepse në shumë gjenerata jemi djeg padrejtësisht jo vetëm në futboll, por në të gjitha lëmitë njëherë nga okupatori serb, pas luftës plotë 15 vite më së keqi e pësojë sporti dhe kultura.

Jam shumë i gëzuar për gjeneratat e reja sepse diçka çka na është ndaluar shumë gjeneratave të mëparshme, tani e tutje këto t’i shijojnë dhe ti realizojnë ëndrrat e tyre. Pikërisht është muaji maj, kjo date tre maj, që na solli gëzimin dhe këtë dëshirë të shumëpritur të shumë gjeneratave më radhë. Maji gjithmonë më kujtonte palestrën sportive “25 Maj” në Prishtinë, por tash e tutje do të më shtojnë edhe një kujtim në këtë muaj 3 majin kur Kosova u pranua në UEFA.
Autori është gazetar sportiv

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat