KB Bashkimi drejt shuarjes

Sporti

KB Bashkimi drejt shuarjes

Nga: Kemajl Goca Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 17:39

Bashkimi nga Prizreni në konkurrencën e femrave mund edhe t’i ndërpresë garat në Ligën e Kosovës në basketboll. Basketbollistet janë të zemëruara dhe sipas burimeve brenda për brenda tyre klubi mund të shuhet. Arsyet janë se nuk kanë mjete dhe zemërimi më i madh i tyre është që një përfaqësues nga Prizreni, i cili është pjesë në bordin e Federatës së Basketbollit të Kosovës ka votuar kundër faljes së dënimit të basketbollisteve Dea Çejku dhe Enisa Olloni.

“Fillimisht ia kemi filluar sezonin në kushte minimale. Dy lojtare kryesore të ekipit tonë janë të dënuara prej sezonit të kaluar. E kemi dërguar një kërkesë në federatë që të na falen dënimet, por kërkesa është refuzuar. Vlen të ceket që ndër personat që e kanë refuzuar kërkesën e faljes së dënimit, janë nga Prizreni, anëtar i KB Bashkimit dhe i Bordit të FBK-së.

Ne edhe pse e mbajmë të njëjtin emër me meshkujt, ata fare nuk na përkrahin në asnjë mënyrë. Mijëra euro shpenzohen për ekipin e meshkujve, kurse për ekipin e femrave nuk ka të holla as për t'u paguar dënimet. Si po shkojnë punët në ekipin tonë nuk do të ketë holla as për t'u paguar udhëtimet jashtë, e kjo po na çon drejt shuarjes, sepse nuk ka asnjë lloji motivi tek ne lojtaret. Nëse nuk gjenden të hollat për t'u paguar dënimet e dy lojtareve kyqe të 5-shes së parë, nuk do të vazhdojmë”, thotë një basketbolliste që dëshiron të mbetet anonime.

Bashkimi është në vend të dytë me 11 pikë dhe ka tri më pak se liderja, Prishtina, por kjo e fundit ka një ndeshje më shumë të zhvilluar. Krejt në fund, basketbollistja shpreson që të sigurojnë mjetet e nevojshme dhe mos të vjen klubi në pozicionin e shuarjes. “Kurrë më afër shuarjes si ekip nuk kemi qenë, por të shohim në ditët në vazhdim se si do të rrjedhin gjërat”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat