Canës i dështon pista e Katarit

Sporti

Canës i dështon pista e Katarit

Më: 2 gusht 2015 Në ora: 11:13

Lorik Cana nuk do të shkojë drejt Katarit. Evropa dhe Amerika janë opsionet për lojtarin e Kombëtares.

Komplikohet pista që e çon Lorik Canën drejt Katarit. Sipas mediave italiane, gjatë orëve të fundit palët janë larguar në qëndrime, duke bërë që kapiteni i Kombëtares Shqiptare të mendojë për një tjetër destinacion.

Gjatë ditëve të shkuara, Al Jaish që drejtohet nga ish shoku i skuadrës së Canës te Marseille, Sabri Lamouchi, kishte shfaqur interes konkret duke nisur bisedimet me lojtarin, por palët nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët, duke e shtyrë mbrojtësin të mendojë për një tjetër destinacion.

Aktualisht Lorik Cana nuk është bashkuar me Lazion që po zhvillon fazën përgatitore në Kinë ku do të luhet Superkupa e Italisë pasi shoqëria bardhkaltër e ka lejuar të lirohet nga detyrimet sportive për të vendosur të ardhmen e tij edhe pse ka një tjetër vit në kontratë.

Në horizont mbeten ende disa alternativa mes Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por kapiteni kuqezi nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar për të nënshkruar me skuadrën që ndoshta do të jetë edhe e fundit në karrierën e tij të gjatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat