Duka: Elbasani nuk do jetë “Beograd” i dytë

Sporti

Duka: Elbasani nuk do jetë “Beograd” i dytë

Më: 1 gusht 2015 Në ora: 10:04

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, premton se në ndeshjen kundër Serbisë në Elbasan nuk do përsëriten ngjarjet e Beogradit.

Në një intervistë për revistën Java, ai shpjegon se përse u vendos që ndeshja të luhet në Elbasan dhe jo në Shkodër.

“120 ditë përpara ndeshjes duhet të njoftosh stadiumet alternative që mendon çdo federatë. UEFA është ajo që bën inspektimin e stadiumit për të verifikuar gjendjen e tij. Në kushtet që ne kërkuam që ndeshja të luhet në Shkodër, UEFA na ktheu përgjigje negative duke rreshtuar arsyet se përse nuk mund të luhet në këtë fushë. UEFA theksonte se kushtet e sigurisë për këtë ndeshje duhet të jenë në nivelet më maksimale”.

“Me kryeministrin dhe ministrin kam biseduar disa herë rreth organizimit të kësaj ndeshje, preokupimi i tij dhe dëshira jonë është që kjo ndeshje të ketë një pamje të kundërt me atë të 14 tetorit në Beograd, të marrë ngjyrat e një feste të vërtetë sportive dhe t’i demonstrojmë botës që ne jemi qytetarë europianë, por që kemi edhe tradita: Shqiptari në shtëpinë e tij pret edhe hasmin,” thekson Duka.

Sipas tij, shanset që Shqipëria të shkojë në Europianin e Francës janë rreth 80 përqind.

I pyetur për kandidimin e Mishel Platini për kreun e FIFA-s, Duka thotë: “Nuk jam surprizuar. Mishel ka mbi 8 vjet që drejton UEFA-n dhe ka patur shumë progres, gjë që i jep të drejtën e plotë të mendojë se mund të japë më shumë për FIFA-n. I uroj sukses”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat