Cavani i dhuron Kupën e Francës PSG

Sporti

Cavani i dhuron Kupën e Francës PSG

Më: 30 maj 2015 Në ora: 23:49

Kupa e Francës i përket, Paris Saint Germainit që për të parën herë në histori arrin t’i fitojë të tre trofetë sezonalë në Francë duke mbyllur në mënyrë përrallore një sezon fantastik. Në Stade de France të besuarit e Laurent Blanc mposhtën me rezultatin 1-0 skuadrën e Auxerre që luan në ligën e dytë duke fituar për herë të 9-të trofeun e Kupës së Francës. Vendosi një gol i Edinson Cavanit me Auxerre që nuk arriti të rezistonte deri në fund edhe pse zhvilloi një ndeshje të madhe duke vënë në vështirësi serioze Parisin.

Në Stade de France ashtu sic edhe parashikohej sfida nisi me Paris Saint Germain-in më kërkues. Në minutën e 17-të Cavani dha sinjalin e parë të rrezikshëm por topi përfundoi jashtë. Në të 32-tën portieri i Auxerre Donovan Leon i tha jo golit të Zlatan Ibrahimovic. 4 minuta më pas ishte sërish gardiani 22-vjecar që i mohoi golin bomberit suedez. Në të 40-tën fati nuk ishte me Parisin kur tentativa e Thiago Mottas u ndal nga shtylla. 10 minuta nga fillimi pjesës së dytë Leon tregoi edhe njëherë të gjitha reflekset e tij duke ndalur edhe goditjen e Edinson Cavanit. Por portieri i Auxerre nuk mundi të bënte asgjë në minutën e 64-t kur sulmuesi uruguaian goditi saktë me kokë pas një harkimi perfekt të Gregory Van Der Wiel. 1-0 dhe Parisi ishte shumë pranë ëndrrës. Deri në fund nuk ndryshoi asgjë në rezultat me kryeqytetasit që ngritën lart trofeun e Kupës së Francës, duke mbyllur në mënyrë perfekte një sezon të jashtëzakonshëm për ta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat