Blatter nuk bën hapa pas: Do të punoj për të pastruar FIFA-n

Sporti

Blatter nuk bën hapa pas: Do të punoj për të pastruar FIFA-n

Më: 28 maj 2015 Në ora: 22:49

Presidenti i FIFA-s nuk bën asnjë hap pas. Sepp Blatter do të vzhdojë rrugën e nisur pavarësisht presionit që vjen nga bota e sportit dhe faktori ndërkombëtar për shkak të skandalit më të madh që ka përfshirë institucionin më të madh të futbollit. Në fjalën e mbajtur në prag të zgjedhjeve presidenciale, Blatter u shfaq i qetë dhe pa asnjë grimcë presioni në fytyrën e tij. Ai e pranoi se FIFA po kalon një moment kritik, por premtoi të kthejë faqe dhe të punojë për të pastruar imazhin e institucionit që drejton prej 17 vjetësh.

“Është një moment i vështirë dhe pa precedentë. Nuk mund ta njollosim reputacionin e futbollit. Këtu nuk ka vend për asnjë formë korrupsioni. Muajt e ardhshëm nuk do të jenë të lehtë për FIFA-n, lajme të tjera të këqija do të dëgjojmë por ne duhet të nisim punën për të rikthyer besimin te organizata jonë”.

Kjo është replika e parë zyrtare që del nga goja e njeriut më të sulmuar në FIFA, por Blatter nuk ka ndërmend të ndryshojë drejtim duke kërkuar në njëfarë mënyre votën nga federatat botërore, të cilave Platini u kërkoi ta rishikojnë vendimin e tyre dhe të votojnë rivalin e Blatter, princin Ali.

“Kemi humbur besimin por nuk duhet të humbasim shpirtin krijues të lojës së futbollit. Ne të gjithë bashkë duhet të luftojmë për të sjellë ndryshime pozitive në futboll sepse ne e duam futbollin”.

Të Premten çelet zyrtarisht edicioni i 65-të i FIFA-s ku delegatët do të votojnë dy emrat në garë për mandatin 4-vjeçar të presidentit të FIFA-s. Përballë Blatter është princi Ali Hussein, i cilki kërkon t’i japë fund trashëgimisë 17-vjeçare të Blatter në krye të këtij institucioni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat