Domenech: Mourinho ka kompleksin e përkthyesit

Sporti

Domenech: Mourinho ka kompleksin e përkthyesit

Më: 30 tetor 2014 Në ora: 22:59

Një bombë e vërtetë për futbollin, por edhe një lajm pozitiv për mediat që fërkojnë duart kur në sport ka polemika.

Një ditar nga Raymond Domenech. Një bombë e vërtetë për futbollin, por edhe një lajm pozitiv për mediat që fërkojnë duart kur në sport ka polemika. Në Francë ka dalë në shitje libri i ish trajnerit të kombëtares ku Domenech preferon t’i thumbojë të gjithë nga pak, nga Mourinho te Anelka por pa harruar as Canavaron e Zidanen. Nga e gjithë kjo histori më i fituar del Platini, të cilin Domenech nuk arriti ta mundte asnjëherë si kundërshtar në fushë. Nuk shpëton as David Luiz për të cilin Paris Saint German pagoi 50 mln Euro sepse sipas Domenech, paratë për të janë një shpenzim pa vlerë.

Gjithsesi, pasazhin më interesant, ai ia kushton Jose Mourinhos. “Kërkon të bëhet ministër Sporti por fillimisht duhet të bëjë llogaritë me sindromën e përkthyesit”, nënvizon Domenech duke iu referuar detyrës që “Special One” kishte fillimisht te Barcelona. “Në fund, mendon se e ka shkruar ai vetë të gjithë pjesën që ka përkthyer. Kur gjithçka shkon mirë meritat i merr vetë, në të kundërt, ua hedh fajin lojtarëve. Ai del në skenë duke e ditur se ku qëndrojnë telekamerat dhe fillon të mbajë shënime. Ata që mbajnë shënime ose janë me Alzhaimer ose bëjnë sikur shkruajnë”, shton Domenech. Nëse mungojnë akuzat për Materazzin, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Zidane. “Edhe pse kanë kaluar 8 vjet nga ajo ditë, më duket sikur e kam pësuar unë atë gjest me kokë”, sqaron ish tekniku i bluve që ka diçka edhe për Zlatan Ibrahimovic. “Ai është një arrogant por që ka treguar përherë se është edhe një lojtar i madh”, shkruan Domenech në librin e tij prej 331 faqesh ku ndalet gjatë edhe te ish lojtarë si Dugarry apo Anelka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat