Schmitd: Ndaj Zenitit, e vështirë, Boas: Kërkojmë rezultat

Sporti

Schmitd: Ndaj Zenitit, e vështirë, Boas: Kërkojmë rezultat

Më: 21 tetor 2014 Në ora: 20:41

Pas fitores ndaj Benfica-s, Aspirinat duan të mposhtin edhe Zenitin e Shën Petersburg-ut për të patur sa më shumë shanse për kualifikim...

Bayer Leverkusen kërkon të vijojë ecurinë pozitive në Champions League. Pas fitores ndaj Benfica-s, Aspirinat duan të mposhtin edhe Zenitin e Shën Petersburg-ut për të patur sa më shumë shanse për kualifikim por edhe për të parakaluar skuadrën ruse në tabelën e klasifikimit të Grupit C. Gjendja në skuadër nuk është edhe aq e mirë pas atij barazimi shokues ndaj Stuttgart-it në Bundesligë ku Leverkusen-i në pjesën e parë udhëhiqte me tre gola avantazh por në fund u barazua në 3-3 nga vendasit. Pavarësisht gjithçkaje trajneri Roger Schmitd dhe sulmuesi Stefan Kiessling janë përpjekur të përcjellin entuziasëm në ekip. Numri 1 i stolit të Aspirinave në vigjilie të kësaj ndeshjeje deklaroi se nëse Leverkusen-i edhe ndaj Zenit-it luan ashtu sic bëri përballë Benfica-s do të arrijë ta fitojë sfidën.

“Ne e dimë shumë mirë që Zenit-i është një ekip me vlera dhe ka shumë kualitet brenda. Ata kanë marrë pjesë rregullisht në kompeticionet europiane dhe ky fakt i favorizon jo pak. Gjithsesi unë jam i bindur se nëse skuadra ime luan ashtu si në sfidën ndaj Benfica-s do ja dalë të marrë sërish tre pikët. Është e vërtetë që po kalojmë një moment të vështirë në Bundesligë por Champions-i është një tjetër histori”.

Ashtu si trajneri Schmitd edhe sulmuesi Kiessling deklaroi se Leverkusen-i i ka mundësitë për ta mposhtur Zenit-in pavarësisht se rusët kanë një skuadër shumë të fortë. “Fituam ndaj Benfica-s dhe jemi në rrugën e duhur”- theksoi futbollisti gjerman i Aspirinave duke shtuar se skuadra e tij ka cdo gjë në rregull për të qenë e suksesshme. Nga ana tjetër trajneri i Zenit-it, portugezi Andre Villas Boas vuri edhe njëherë në dukje vështirësinë që paraqet Grupi C i Champions League, duke nënvizuar se skuadra do synojë të bëjë rezultat në “BayArena”.

“Bëjmë pjesë në një grup shumë të vështirë. Të katërta skuadrat janë të forta dhe gjithsecila prej tyre mund të avancojnë më tej. Ky fakt tregon më së miri se cdo pikë e fituar mund të rezultojë thelbësore në këtë grup. E kemi nisur mirë kompeticionin duke fituar në ndeshjen e parë dhe duke barazuar në të dytën por nëse duam të kualifikohemi duhet të vazhdojmë kështu. Dy ndeshjet ndaj Bayer Leverkusen do të jenë shumë të rëndësishme për ne. Në “BayArena” duam të bëjmë rezultat”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat