Tifozët Kuq e Zi në Beograd

Sporti

Tifozët Kuq e Zi në Beograd

Më: 2 tetor 2014 Në ora: 17:56

Tifozët kuqezinj do të jenë të pranishëm në stadiumin e Beogradit për sfidën e 14 Tetorit. Federata e Futbollit të Serbisë i kthen përgjigje pozitive Federatës Shqiptare të Futbollit pas mbledhjes së zhvilluar në Komitetin Ekzekutiv është ndezur drita jeshile që mbështetësit e Kombëtares Shqiptare të jenë të pranishëm në stadium, por ky vendim do të jetë përfundimtar vetëm pas përgjigjes së policisë serbe, e cila duhet të japë miratimin për të marrë përsipër masat e sigurisë. Lajmi bëhet i ditur në faqen zyrtare të Federatës Serbe në internet ku theksohet se ky institucion kërkon të tregojë vullnetin dhe vendosmërinë për të organizuar një ndeshje model. “Në këtë mënyrë, do të ofrojmë sipas rregullores 5 % të numrit të përgjithshëm të biletave për tifozët e Shqipërisë. Në të njëjtën mënyrë do të veprohet edhe për ndeshjen e 15 Tetorit 2015 në Shqipëri”, thuhet në komunikatë. Në vijim, Federata shprehet e gatshme për të organizuar eventin konform legjislacionit të Republikës së Serbisë duke bashkëpunuar me të gjitha autoritetet lokale e qendrore për mbarëvajtjen e takimit. “Miqtë nga Shqipëria janë të mirëpritur në tokën tonë dhe ju bëjmë apel të gjithë tifozëve serbë të shfaqin shpirtin e fair play dhe të ndihmojnë djemtë e Kombëtares për të nisur rrugën e fitoreve në eliminatore”, thuhet në përfundim të komunikatës zyrtare të federatës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat