Xhoxhaj, i artë në Sarajevë

Sporti

Xhoxhaj, i artë në Sarajevë

Nga: Kemajl Goca Më: 29 shtator 2014 Në ora: 13:27


Boksierët e kombëtares së Kosovës treguan nivel të lartë dhe fituan katër medalje (një të artë, tri të argjendta) në turneun ndërkombëtar “Mustafa Hajrullahoviç-Talijan” në boks. Kosovën e përfaqësuan katër boksierë, si: Alban Qeriqi (64 kg), Arian Gashi (69 kg), Armend Xhoxhaj (81 kg) dhe Pirro Quni (91 kg), si dhe përzgjedhësi Xhevdet Peci, me gjyqtarin ndërkombëtar Latif Demolli. “Xhoxhaj u stolis me të artën, ndërsa të tjerët me të argjendtën. Në gjysmëfinale Alban Qeriqi e gjunjëzoi boksierin nga Sllovakia, Kristian Nguyen. Qeriqi në finale humbi me rezultat të ngushtë nga boksieri boshnjak, Adem Fetahoviç. Arian Gashi në gjysmëfinale e mposhti kroatin Durim Praca. Ai edhe pse lëndoi dorën, këtë meç e fitoi bindshëm. Gashi edhe i lënduar boksoi në finale kundër boshnjakut Ahmet Xhanoviç, por humbi me rezultat të ngushtë 2:1. Arsyeja e humbjes pa dyshim se ka qenë dora e lënduar! Ndërsa njëri prej boksierëve më të mirë, Armend Xhoxhaj, në gjysmëfinale boksoi me gjermanin Michel Serke, i cili është pjesëmarrës në Kampionatin Botëror dhe i teti në ranglistën botërore. Xhoxhajn në finale e priste boksieri më i mirë boshnjak, i cili ka qenë pjesëmarrës në Kampionatin Botëror në Kazakistan, Xhemail Boshnjak. Boksieri boshnjak ka pritur t’i revanshohet Xhoxhajt për humbjen në turneun e kaluar “Adem Jashari” . Pra, gjithë të pranishmit në sallë ishin kundër Xhoxhajt, por as kjo se dekoncentrojë boksierin tonë. Qysh në rundin e parë Xhoxhaj iu vërsul kundërshtarit dhe nuk e respektoi për asnjë fije dhe e gjunjëzoi me nokaut në rundin e parë. “Konkurrenca ka qenë e fortë. Në gjysmëfinale u ballafaqova me boksierin gjerman, që ka pasur një përvojë të madhe dhe ishte pjesë edhe në Kampionatin Botëror. Arma ime më e fortë ishte përvoja por edhe veprova shumë me dorën e djathtë duke e mundur rivalin. Në finale boksova me teknikë të përsosur dhe më ndihmoi shumë ajo se kisha njohuri për boshnjakun, sepse me të boksova edhe vitin e kaluar në turneun ‘Adem Jashari’. Pas një lufte të mirë e nokautova boshnjakun. Shpallja si boksieri më i mirë i turneut është një kënaqësi për mua por edhe një motiv edhe më i madh për të ardhmen time”, tha Xhoxhaj. Boksieri Pirro Quni u kualifikua pa luftë për në finale , por pësoi disfatë nga kroati Alen Babiç. Latif Demolli drejtojë meçet me pedanteri në gjysmëfinale e finale dhe u vlerësua me notë të lartë nga organizatorët. Demolli ishte gjyqtari kryesor i këtij turneut tradicional. Në fund, juria shpalli boksierët më të mirë. Juria vendosi ta shpall boksierin më të mirë të turneut, Armend Xhoxhaj. “Boksierët e mi treguan nivel të mirë dhe si rrjedhojë e kësaj edhe ishin të gjithë në finale. Kemi tejkaluar parashikimet, ku u kthyem me një medalje të artë dhe tri të argjendta, kjo është pasqyra më e mirë që treguam në një turne të respektuar”, tha Xhevdet Peci.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat