Cruyff: Barcelona duhet të kthejë Pep Guardiolën

Sporti

Cruyff: Barcelona duhet të kthejë Pep Guardiolën

Më: 16 prill 2014 Në ora: 20:47

Ish-ikona e Barcelonës dhe e kombëtares holandeze, Johan Cruyff, mendon se gjëja më e mirë që mund të bëjë klubi katalanas është të kthejë trajnerin Pep Guardiola, nën drejtimin e të cilit katalanasit fituan gjithçka. Sipas 66-vjeçarit trajneri aktual i Bayernit është njeriu i duhur për ta rikthyer Barçën në majën e futbollit europian.

“Gjëja më e mirë për Barcelonën është të rikthejë Pep Guardiolën. Nëse Johan Laporta do të bëhet sërish president, do t’i sugjeroja të rikthente Pep. Ai është një njeriu shumë i zgjuar ndaj jam i sigurtë që do ta bëntë këtë.”

Cruyff bën përgjegjës për situatën e krijuar drejtuesit aktualë, duke sugjeruar afrimin e njerëzve që marrin vesh nga futbolli.

“Njerëzit që e dinë se çfarë duhet bërë nuk kanë mundësi vendimmarrjeje. Pikërisht këta njerëz duhet të merren me punët e futbollit. Kur Laporta ishte presidenti, vendimet i merrnin Txiki Begiristain, Frank Rajkard dhe Pep Guardiola. Gjithkush mund të bëjë gabime, por ata e dinin që vendimet e tyre motivoheshin nga futbolli, ndërsa Laporta ishte president për t’i mbrojtur ata. Kjo është arsyeja pse Barcelona funksiononte. Kishte momente të mira dhe të këqija, por u bënë hapa të mëdhenj.”

Sa u përket kritikave që Lionel Messi ka marrë javët e fundit, Cruyff komentoi:

“Ky është absurdidet. Kohët e fundit kam thënë se Messi ishte lojtari më i mirë në botë, ndërsa tani që Barcelona u eliminua nga Championsi, vlerat e tij po vihen në diskutim. Barça ka një problem struktural, sepse presidenti kërkon të jetë menaxher dhe trajner.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat