Pezullohet drejtoresha e shumësportëshit Deborah Keçi

Sporti

Pezullohet drejtoresha e shumësportëshit Deborah Keçi

Më: 28 mars 2024 Në ora: 19:11
Deborah Keçi

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka lëshuar sot urdhër-arreste për persona të lidhur me Bashkinë e Tiranës, për shkelje të ndryshme në barazinë e pjesëmarrësve në tenderat publikë, pasi zyrtarët akuzohen për favorizim të bizneseve të veçanta.

Mes tyre është edhe drejtoresha e shumësportëshit të Tiranës, Deborah Keçi, e cila është pezulluar nga detyra për momentin si dhe është vendosur nën urdhër-paraqitje deri në mbyllje të hetimit

“Nga hetimet e kryera është provuar edhe fakti se shtetasja D.K. në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor Klubi Sportiv “Tirana”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k” e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt.

Shtetasja D.K. ka pasur komunikime direkte me shtetasin N.M. administrator i shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k dhe vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i dhënë titullari i autoritetit kontraktor shtetasit N.M user-at e anëtarëve të KVO-së”, shpjegohet në dosjen e SPAK.

Si rrjedhojë është vendosur “Caktimi ndaj personit nën hetim D.K. të masave të sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, të parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, duke e pezulluar nga funksioni publik “Drejtor” në “Klubin Sportiv Tirana”, pranë Bashkisë Tiranë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021.”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat