​Mbahet gara e notit “Kosova 2021”, Arti Krasniqi merr vendin e parë

Sporti

​Mbahet gara e notit “Kosova 2021”, Arti Krasniqi merr vendin e parë

Më: 8 gusht 2021 Në ora: 14:54
Gara e notit “Kosova 2021”

Të dielën është mbajtur Maratona e XI Ndërkombëtare “Kosova 2021” në sportin e notit.

Nën organizimin e Federatës së Notit të Kosovës gara është zhvilluar në Liqenin e Batllavës ku garuan 30 notarë në shtegun e gjatë 4.2 kilometra.

Vendi i parë i tako notari nga Kosova Arti Krasniqi, i dyti maqedonasit Christian Stojanovski, ndërsa Auron Telaku, poashtu nga Kosova mori vendin e tretë.

Kryetari i Federatës së Notit të Kosovës Astrit Haliti tha se është i kënaqur me numrin e pjesëmarrësve në këtë garë edhe pse ka mund të jetë një numër më i madh po kjo nuk ka ndodhur për shkak të pandemisë Coviud-19.

Haliti: Ka pasur interesim më të madh por nuk kanë ardhur për shkak të pandemisë Covid-19.

“Organizimi ka shkuar sikur herave të tjera, pjesëmarrja nuk ka qenë në nivelin më të mirë të mundshme por shkaqet sigurisht që dihen është Covidi edhe shumë shtete të tjera të cilat më herët kanë thënë se do të jenë pjesëmarrës nuk kanë mund të vijnë për shkak që tash janë edhe duke u rritur rastet, është situatë e jashtëzakonshme. Por, prapë jemi të kënaqur me pjesëmarrëse, janë diku rreth 30 pjesëmarrës, 27 nëse nuk gaboj saktësisht. Prej tyre kishte notues jashtëzakonisht cilësor. Art Krasniqi është një prej notuesve më cilësor që ka Kosova për momentin, pastaj Auron Telaku, pra janë dy notues që arritën i pari dhe i treti. Kishte sportist nga Maqedonia, nga Shqipëria dhe kjo ishte në përgjithësi.”, tha Haliti.

Art Krasniqi i cili doli si garuesi më i mirë nga kjo garë, tha se kishte ardhur me vetëbesim se do ta marr vendin e pare dhe se në të ardhmen synon që ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike në Paris 2024.

Krasniqi: Në të ardhmen synoj që ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike në Paris 2024

“Ishte gara shumë e mirë, kam kaluar shumë mirë, jam shumë i kënaqur me rezultat. Nuk kam pasur aspak probleme gjatë garës kështu që është rezultati shumë i mirë...Jam nisur me vetëbesim por prapë se prapë duhet gjithë me pas respekt për konkurencën. Ka pasur një djalosh i Maqedonisë, janë shumë notarët të fortë të Kosovës që kanë qenë këtu, por prapë se prapë kam pasur vetëbesim që mundem të fitojë...Ëndrra ime është të marrë pjesë në Lojërat Olimpike 2024 në Paris.”, theksoi Krasniqi

Vendi i tretë i takoi notarit nga Kosova Auron Telaku i cili për KosovaPress tregoi se hasi në disa vështirësi në fillim të garës por më pas gjithçka shkoi në rregull dhe se ne të ardhmen edhe ai synon ta përfaqësojë Kosovën në garat ndërkombëtare siç janë Lojërat Olimpike.

Telaku: Synoj ta përfaqësoj Kosovën në Lojërat Olimpike në të ardhmen.

“Ishte vështirë sepse në fillim e ndjeva vetin rëndë edhe duke notuar pastaj jam liruar edhe shkova...Me Kosovën të shkoj në Paris 2024 kam dëshirë.”, tha Telaku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat