Policia e Shtetit: 14 efektivë të plagosur nga sulmet gjatë protestës

Shqipëria

Policia e Shtetit: 14 efektivë të plagosur nga sulmet gjatë protestës

Nga: A.M. Më: 14 tetor 2026 Në ora: 20:47
Protesta

Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me aktet e dhunës gjatë protestës, duke bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të sulmeve ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore, si dhe të shkatërrimit të pronës publike dhe private.

Sipas njoftimit zyrtar, si pasojë e sulmeve që kanë vijuar prej disa orësh, janë plagosur 14 punonjës të Policisë së Shtetit. Ndërkohë, shërbimet e Policisë po vijojnë identifikimin dhe shoqërimin e personave që dyshohet se kanë kryer akte dhune dhe janë maskuar gjatë tubimit.

Deri në momentin e reagimit, janë shoqëruar 35 shtetas.

Policia u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në protestë që të distancohen menjëherë nga personat e dhunshëm dhe të mos i mbështesin apo t'u bashkohen atyre. Sipas uniformave blu, ushtrimi i dhunës, sulmet ndaj efektivëve dhe shkatërrimi i pronës nuk kanë asnjë lidhje me të drejtën për të protestuar.

“Kjo dhunë duhet të ndalet menjëherë!”, thekson Policia e Shtetit në reagimin e saj, duke nënvizuar se rrezikimi i jetës së punonjësve të Policisë dhe qytetarëve duhet të marrë fund.

Në vijim të deklaratës, Policia rikujton se e drejta për të protestuar është e garantuar me ligj, por kjo e drejtë nuk mund të përdoret si justifikim për akte dhune apo shkatërrimin e pronës publike dhe private.

Autoritetet bëjnë me dije se personat përgjegjës për këto akte do të identifikohen dhe do të përballen me ligjin, ndërsa apelohen të gjithë pjesëmarrësit që të mos lejojnë që tubimi të shndërrohet në një skenë dhune dhe përplasjesh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat