Vrau me thikë bashkëjetuesen dhe u largua nga vendngjarja/ Apeli lë në burgim të përjetshëm Ramiz Micin

Shqipëria

Vrau me thikë bashkëjetuesen dhe u largua nga vendngjarja/ Apeli lë në burgim të përjetshëm Ramiz Micin

Më: 29 mars 2024 Në ora: 16:14
Vrau me thikë bashkëjetuesen dhe u largua nga vendngjarja/ Apeli lë në burgim të përjetshëm Ramiz Micin

Gjykata e Apelit vendosi të lejë në fuqi dënimin e Gjykatës të Shkallës së Parë Elbasan, burgim të përjetshëm për Ramiz Micin, autorin e vrasjes së bashkëjetueses në vitin 2022.

Vuajtja e dënimit për të fillon nga dita e arrestimit në flagrancë datë 31.07.2022 dhe dënimi të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

Mëngjesin e 31 korrikut në një banesë të marrë me qira në lagjen “Skënderbej” në Elbasan 37-vjeçari Ramiz Mici vrau me thikë bashkëjetuesen e tij dhe më pas u largua nga vendngjarja. Ai u gjet 24 orë më pas nga policia i fshehur poshtë një ure në përroin e Zaranikës.

Jetlira Elezi dhe Ramiz Mici bashkëjetonin së bashku pasi ishin divorcuar nga martesat e mëparshme, prej të cilave kishin edhe fëmijë. Edhe më herët ata kishin pasur konflikte dhe dhunë mes tyre, kryesisht për shkaqe xhelozie.

“Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, është zhvilluar gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurit me iniciale R. M, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare’’, të parashikuara nga neni 79/c i Kodit Penal.

Fakti objekt akuze lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 30.07.2022, rreth orës 00:53, ku në lagjen Skëndërbej, Elbasan, i pandehuri me iniciale R. M ka vrarë me thikë bashkëjetuesen e tij, shtetasen me iniciale J. E, nënë e dy fëmijëve.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me vendimin nr. 13-2023-2613 (364), datë 26.07.2023 ka vendosur:

-Deklarimin fajtor të të pandehurit R. M për kryerjen e veprës penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare’’, të parashikuara nga neni 79/c i Kodit Penal dhe dënimin e tij në bazë të këtij neni me burgim të përjetshëm.
-Vuajtja e dënimit për të pandehurin R. M fillon nga dita e arrestimit në flagrancë datë 31.07.2022 dhe dënimi të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale R. M, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, dhënien e një mase dënimi më të butë në minimumin e parashikuar nga K.Penal..

Në përfundim të gjykimit, më datë 28.03.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Fuat Vjerdha dhe anëtarë znj. Irena Brahimi dhe z. Genti Dokollari, vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan”, sipas njoftimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat