Bardhi: Votat me Ramën, vetëm nëse ka transparencë

Shqipëria

Bardhi: Votat me Ramën, vetëm nëse ka transparencë

Më: 10 janar 2024 Në ora: 16:47
Gazment Bardhi

Gjueti shtrigash për të blerë vota të deputetëve demokratë e cilësoi kreu i grupit parlamentar të demokratëve Gazment Bardhi porosinë që Kryeministri Rama u dha të vetëve nga Shëngjini për të komunikuar me opozitën sa i përket miratimit në Kuvend të ligjeve që kërkojnë 84 vota.

Edi Ramës ia bëri të qartë se kartonin jeshil demokratët e rreshtuar krah tij do ta ngrinë vetëm nëse ligjet i nënshtrohen proceseve transparente dhe kalojnë mbi bazën e dialogut e konsensusit me opozitën.

“Gjueti shtrigash në një proces të shëmtuar të blerjes dhe shitjes së deputetëve, opozita nuk është përfshirë dhe nuk do të përfshihet, ndërsa në procese që kanë në themel të tyre transparencën dhe dialog të sinqertë mes palëve politike, do të jemi gjithmonë gati”.

Pushimet e gjata nuk e kanë ndryshuar qasjen mes palëve. Kaosi dhe tymueset do jenë kryefjalë e punimeve të Kuvendit edhe me nisjen e sesionit të ri parlamentar, thotë Bardhi.

“Sa kohë nuk ka asnjë reflektim nga mazhoranca, ky aksion do të vijojë”.

Përsa u përket zhvillimeve në kampin opozitar, Bardhi e sheh si një hap pozitiv draftin e partive të vogla për krijimin e një konfederate, por rezervat për Bashën vijojnë të mbeten të forta.

“Nuk jam i sigurt nëse në këtë moment veprimtarinë që ka kryer z.Basha gjatë gjithë kësaj periudhe mund të konsiderohet si pjesë e opozitës”.

Nisma për krijimin e federatës së opozitës e propozuar nga partitë e vogla parashikon drejtimin nga një grup koordinator deputetësh, që pranohen nga të gjithë faktorët politikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat