Berisha: Edhe në Hënë po të më çojnë, unë do gjej mënyrë për të bërë opozitë

Shqipëria

Berisha: Edhe në Hënë po të më çojnë, unë do gjej mënyrë për të bërë opozitë

Më: 23 dhjetor 2023 Në ora: 14:32
Sali Berisha

Sali Berisha ka mbledhur ditën e sotme Këshillin Kombëtar, ku ka hedhur akuza ndaj Edi Ramës.

Në fjalimin e tij ai theksoi se narkoshteti për ta goditur, zgjodhi kodin e mafies por që këtë ai dhe opozita sipas tij nuk e lejuan.

Ai theksoi se Edi Rama, Rilindja, SPAK Sorosi dhe të gjithë armiqtë e demokracisë shqiptarë po presin arrestimin e tij, duke thënë se dhe nëse kjo ndodh opozita nuk merr fund.

Pjesë nga fjalimi:

Këto janë të vërteta që Edi Rama dhe pushtetarët e tij nuk duan që shqiptarët t’i dëgjojnë, prandaj po tentojnë të izolojnë Sali Berishën.

Gjatë këtyre dy muajve të fundit, kam pasur edhe fatin, të zhvilloj njërën nga betejat më efiçente kundër diktaturës së drogës, krimit dhe korrupsionit të gjithë jetës sime.

Narkoshteti, për të më goditur, zgjodhi kodin e mafies dhe unë së bashku me ju dhe deputetët e opozitës, i bëmë pluhur Edi Ramës, ëndrrën për kontrollin  e opozitës. E zhveshëm atë lakuriq para shqiptarëve.

Ne e detyruam Edi Ramën, në panik dhe tmerr, të urdhërojë 3 narkozyrtarët e tij, që duke shkelmuar ligjin, parlamentin dhe Kushtetutën, të vendosin sanksione antikushtetuese kundër meje.

Kurse unë, për të mbrojtur jo veten time, por gjykatat, prokurorinë, Kushtetutën dhe rendin demokratik, që de facto nuk ekziston, i refuzova ato.

Kjo sepse po t’i pranoja, diktatura, padrino i saj, mercenarët, narkoqeveritarët, narkozyrtarët, do brohorisin për fitoren, kurse ligji, e drejta, Kushtetuta, rendi demokratik i saj, do skuqeshin bashkë me ne nga turpi.

Më pas beteja u zhvendos në parlament, komisionet, aulën dhe Gjykatën Kushtetuese. Kjo ishte pjesa më dramatike, por natyrisht më tërheqësja dhe më e fuqishmja e kësaj beteje.

Aty nuk ishin më tre mercenarët Kraja-Millanai-Gjoka, por ishte Linda e parlamentit me gjithë shëmtinë e saj, komisionin Rama-Brava, vetë mbretin lakuriq që rrethohej nga 150 gardistë dhe 74 narkodeputetë, kishin 8 gjykatës të 6 milionë lekë rrogë, por kishin edhe dyshen Basha-Alibrava.

Pra, kësaj radhe ne u bëmë armiqve të egër të lirisë sonë një betejë në çdo skutë të tyre, në Skapin dhe gjykatat e partisë, në komisionet dhe aulën e parlamentit, në gjykatën e tyre antikushtetuese dhe nxorëm para shqiptarëve fytyrën e pushtetit të drogës, vjedhjes dhe krimeve.

Deputetët me këtë betejë arritën të asgjësojnë de facto narkoparlamentin e diktaturës dhe të zhveshin cullak para botës, Edi Ramën dhe larot e tij.

Pra, në këtë bejë pa kthim me diktaturën e krimit, drogës dhe korrupsionit, PD dhe deputetët e saj fituan.

Por kjo fitore erdhi sepse ata ishin të gjithë luftëtarë lirie. Ata ishin në një mision. Ky mision që na është përcaktuar nga fati ne demokratëve, na ngarkon një përgjegjësi pothuajse hyjnore për aq liria është sa njerëzore, po aq edhe hyjnore.

Varet fati i Shqipërisë nga ne. E kuptoni se ç’do të thotë kjo. Jemi shpresa e vetme e këtij kombi që ne trashëguam nga të parët.

Nga kjo përgjegjësi historike, ne marrim forcë për të vazhduar të pamposhtur misionin tonë.

Sot Edi Rama, Rilindja, Skapi, Sorosi dhe të gjithë armiqtë e demokracisë shqiptarë po fërkojnë duart duke pritur arrestimin e Sali Berishës. Ata thonë se ky është fundi i Sali Berishës, fundi i opozitës. Absurde!

Fundi i Sali Berishës ka që në vitin 1997 që e thonë. Madje janë të njëjtat persona që e thonë.

Përsëri gabuan, ne do fitojmë!

Sali Berisha nuk heq dorë kurrë nga mbrojtja e idealeve të lirisë, opozitarizmit, programit të PD.

Jo në shtëpi, në qeli apo në ndonjë ishull, por edhe në Hënë po të më çojnë, unë do gjej mënyrë për të bërë opozitë dhe do qëndroj për të vërtetën.

Pasioni im është pasioni i njeriut të lirë. Është i vetmi pasion që tek unë nuk njeh moshë, nuk njeh kufi.

Sot jam po kaq i motivuar dhe i vendosur sa kam qenë 33 vite më parë në luftën kundër diktaturës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat