U hoq Roaming-u, por kujdes me ...

Shqipëria

U hoq Roaming-u, por kujdes me ...

Më: 1 korrik 2021 Në ora: 18:08
Foto ilustrim

Me hyrjen e korrikut ka hyrë në fuqi edhe shfuqizimi i tarifave roaming në të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo do të thotë që qytetarët e gjashtë vendeve të rajonit mund të bëjnë thirrje telefonike dhe të dërgojnë mesazhe në të gjithë rajonin pa kufizime, duke paguar të njëjtat çmime sikur të ishin në vendlindje.

Megjithatë, në Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, autoritetet përkatëse të komunikimit kanë paralajmëruar qytetarët e tyre që të bëjnë kujdes, pasi është hequr vetëm roaming-u, që nuk duhet ngatërruar me paketat e ofertave të internetit, të cilat në varësi të kompanive ofruese mund të ndryshojnë.

"Përdoruesit këshillohen që gjithmonë të kontrollojnë planet e tyre të internetit me ofruesit e tyre të telekomit, para se të udhëtojnë” tha përmes një deklarate Agjencia e Komunikimeve Elektronike në Maqedoninë e Veriut.

Agjencia thotë se kufizimet për trafikun e internetit do të jenë në fuqi, që do të thotë se qytetarët me të njëjtën sasi parash mund të përfitojnë shumë më pak internet në rast se e shfrytëzojnë atë jo në vendin e origjinës, por në një shtet tjetër të Ballkanit Perëndimor.

Si shembull, nëse një qytetar shqiptar bën ofertën e internetit në një nga kompanitë celulare në Shqipëri, për X lek ai do të përfitonte 4 GB nëse do ta shfrytëzonte po në Shqipëri. Por, nëse gjatë periudhës kur oferta është aktive ai lëviz dhe e shfrytëzon atë, si shembull në Maqedoninë e Veriut, me të njëjtën sasi X lekësh do të përfitojë shumë më pak internet.

Edhe në Serbi thanë se sasia e internetit do të varet nga vetë pajtimi mujor që do të zgjedhin qytetarët dhe në varësi të vendit tjetër ku ajo konsumohet, duke nënkuptuar se kjo pjesë është rregulluar përmes marrëveshjeve të kompanive që operojnë në tregun e komunikimeve.

Roaming-u u hoq duke filluar prej datës 1 korrik në të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor falë marrëveshjes së nënshkruar që në 2019 gjatë samitit të dytë digjital të mbajtur në Beograd.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat