​“Pjesë e kujtesës sonë”, një rrugë në Prishtinë merr emrin e diplomatit amerikan Frank Wisner

Prishtina

​“Pjesë e kujtesës sonë”, një rrugë në Prishtinë merr emrin e diplomatit amerikan Frank Wisner

Më: 24 nëntor 2026 Në ora: 11:48
Përparim Rama

Një rrugë e Prishtinës do të mbajë emrin e diplomatit amerikan Frank Wisner, i cili kontribuoi në procesin e përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës.

Për këtë qëllim, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme, e cila nisi me intonimin e himneve shtetërore të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se ambasadori amerikan Frank Wisner u bë pjesë e historisë së Kosovës në një nga momentet më vendimtare për të ardhmen e vendit.

Rama: Wisner u bë pjesë e historisë së Kosovës në një moment definues të vendit

“Frank Wisner ishte një burrë, në pjesën më të madhe të jetës së tij ai iu shërbeu SHBA-ve përmes dipmacisë dhe përmes këtij shërbimi, ai u bë pjesë e historisë së Kosovës. Në një moment definues të Kosovës, kur e ardhmja jonë ishte ende e negociuar, ambasadori Wisner solli në tavolinë përvojë, durimin e një diplomati dhe bindjen që një e ardhme më e mirë është e mundshme. Ai kuptoi se pas çdo negociate diplomatike qëndron ishin njerëz të vërtetë, prindër që donin një të ardhme të sigurt për fëmijët e tyre, të rinjtë që ëndërrojnë për mundësi, familje që duan të jetojnë me dinjitet në një vend që mund ta quajnë shtëpi”, tha Rama.

Ndërkaq kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina, tha se kontributi i diplomatit amerikan mbetet pjesë e kujtesës së popullit të Kosovës dhe e marrëdhënieve të veçanta ndërmjet dy vendeve.

Kupina: Kontributi i Wisner mbetet pjesë e kujtesës sonë

“Kontributi i tij nga periudhat më të rëndësishme të historisë mbetet pjesë e kujtesës sonë dhe marrëdhënëis së veçantë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”, tha ai.

Kupina bëri të ditur se rruga që do të mbajë emrin e diplomatit amerikan ndodhet në segmentin e Unazës së Arbërisë.

Më 19 dhjetor 2005, Wisner u emërua nga sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, përfaqësues i SHBA-së në negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës.

Ai ishte një nga diplomatët e përfshirë në procesin ndërkombëtar që i parapriu shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

Frank Wisner vdiq më 24 shkurt 2025, në moshën 86-vjeçare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat