“Kulmi i lidhjes me krimin është rasti ‘Toka’ i Azem Sylës”, Naim Miftari përmend emrat e politikanëve të lidhur me ‘nëntokën’

Politika

“Kulmi i lidhjes me krimin është rasti ‘Toka’ i Azem Sylës”, Naim Miftari përmend emrat e politikanëve të lidhur me ‘nëntokën’

Nga: N. Shaqiri Më: 15 shkurt 2024 Në ora: 16:54
Azem Syla

Ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, thotë se, sistemi i drejtësisë në Kosovë, është ende i kontrolluar dhe uzurpuar nga “nëntoka e fuqishme e krimit të organizuar dhe mafias politike”.

Ai për këtë akuzon strukturat e SHIK-ut dhe të PDK-së.

Sipas tij, kjo gjendje faktohet e dokumentohet me shumë afera që nuk janë gjykuar por kanë mbetur njolla të zeza në sistemin e drejtësisë të kapur nga krimi i organizuar.

“Rasti i veteranëve të rrejshëm, rasti i tenderëve të blerjeve të tokave të Sami Lushtakut, tokat e “babës" të Ramush Haradinajt, tokat e drejtuesve të OVL-së, Gucati, Haradinaj, tokat dhe gurthyesit e vëllezërve të Hashim Thaçit, tenderët qeveritar dhe ndërtimet e Behgjet Pacollit. Në të gjitha këto ka ndikim mos funksionimi i sistemi të drejtësisë i lidhur me krim. Kështu ka ndodhur edhe te privatizimet kinse ligjore. Afera e KEK-ut dhe KEDS-it e Hashim Thaçit, afera e Llamkosit e Besim Beqës e Kadri Veselit. E tillë është edhe plaçkitja e Trepçës nga ana e Gani Thaçit dhe Ferat Shalës, Azem Sylës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Bekim Haxhiut, Zvonko Veselinoviçit e Milan Radoiçiqit”, shprehet Miftari.

Sipas tj, sistemi i drejtësisë ka dështuar edhe te vjedhja e drogës, heroinës dhe dosjeve të krimeve të luftës e krimit të organizuar në dhomën e dëshmive në Prishtinë, si dhe në vjedhjen e arit në Policinë e Pejës.

“E lidhur me nëntokën kriminale politike të SHIK-ut e para politikës së ish qeveritarëve është edhe afera e PTK-së - Vala 900, tenderët e kurdisur të AKM-së të Ahmet Shalës me Adem Grabovcin, gllabërimi dhe plaçkitja e ekonomisë, Industrisë dhe elektro distribucioneve të Devollëve në lidhje me bandat e zeza të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së. Kulmi i lidhjes me krimin është edhe rasti Toka i Azem Sylës dhe pjesëtarëve të tjerë të SHIK-ut me kriminelë dhe spekulantë e ish pjesëtar të UDB-së dhe policisë serbe, e shumë raste të tjera që janë me dhjetëra e me qindra vjedhje, pa i përmend këto aferat e fundit të korrupsionit lidhur me Pal Lekajn e Ramush Haradinajn në rastin e Bektelit, dhe kinse falja e tatimit për ambalazhuesit e ujit”, shprehet tutje Miftari.

Ai përmend edhe historinë e abozimit me parat e shtetit të Kosovës që ka një zanafillë shumë të hershme, të pa hetuar dhe pa ndëshkuar, që daton e fillon me vjedhjen e Fondit 3% dhe Vendlindja Thërret.

“Pra janë me mijëra raste ku krimi i organizuar politik i PDK-së, LDK-së dhe AAK-së janë futur me të dy këmbët e duart, të implikuar dhe në rolin e organizatorit të vjedhjes të mbi 3 miliardë eurove pasuri shtetërore që ju kanë vjedhur dhe tjetërsuar shtetit dhe popullit të Kosovë por që me dekada kanë mbetur pa u hetuar e pa u ndëshkuar. E gjithë kjo zhvatje spektakulare e organizuar e shtetit ka ndodhur për faktin se sistemi i drejtësisë, KPK-ja dhe KGJK-ja Policia dhe AKI- ja edhe sot kontrollohen mbi 90% nga seskeserat e politikës së inkriminuar. Në pozitat e gjyqtarëve, të policëve hetues dhe hetuesve të AKI-së kanë ardhur individët me porosi nga klanet para politike të krimit të organizuar të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, prandaj nuk ka gjyqtar a prokuror, apo hetues neutral në Kosovë që guxon sot për ti hetuar dhe dënuar sipas ligjit këto raste e mijëra raste tjera të hajnisë e korrupsionit, të vjedhjeve të orkestruara e së paku të disa miliardave euro nga pasuria e shtetit”, thotë ai.

Miftari thotë se, Kosova është shtet ku ligji ekziston vetëm për qytetarët e thjesht/

“Kosova është shtet pa drejtësi ku mafia politike e kontrollon edhe sot Prokurorinë, gjykatat, Policinë dhe AKI-në, madje depërton thellë edhe deri te disa OJQ dhe nëpër media. Prandaj mos të pyet më askush dhe mos befasohet pse rinia po ikë nga Kosova, pse edhe njerëzit e shkolluar dhe të zotët po e braktisin Kosovën që nga 1999 e deri tash në vitin 2024. Krejt kjo është pasojë afatgjatë e mosfunksionimit të ligjit për dekadat e kaluara. Mungesa e drejtësisë, korrektësisë dhe kualitetit profesional në vendimmarrje e në qeverisje e ka vrarë edhe shpresën se një ditë do të bëhet më mirë”, përfundon Naim Miftari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat