“Zgjedhja e Xhaferit nuk është historike”, Bytyçi tregon se si mund të zgjidhet një shqiptar kryeministër i Maqedonisë së Veriut

Politika

“Zgjedhja e Xhaferit nuk është historike”, Bytyçi tregon se si mund të zgjidhet një shqiptar kryeministër i Maqedonisë së Veriut

Nga: P.Rudi Më: 31 janar 2024 Në ora: 10:00
Talat Xhaferi

Sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçit, zgjedhja e Talat Xhaferit si kryeministër i Maqedonisë së Veriut, nuk mund të quhet historike.

Zgjedhja e Talat Xhaferit si kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut është natyrisht një ngjarje shumë e rëndësishme, që dëshmon për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në këtë republikë. Ky avancim ka shkuar shkallë-shkallë, ne na kujtohet sa entuziazëm krijoi para më shumë se dhjetë vitesh, kur zoti Xhaferi u emërua Ministër i Mbrojtjes së Maqedonisë. Pastaj kur u zgjodh kryetar i parlamentit të vendit. Por entuziazëm kishte edhe kur zoti Nuhiu u emërua Ministër i Punëve të Brendshme dhe zoti Osmani Ministër i Jashtëm. Tani kemi një kryeministër shqiptar të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kjo dëshmon shumë për rolin e subjekteve politike, sidomos të BDI-së, si dhe të shqiptarëve në republikën qendrore të Ballkanit. Por ky kryeministër nuk shënon histori, sepse është thjesht kreu i një ekzekutivi me detyra teknike e jo politike, si dhe është kryeministër i dale nga një formulë politike e koalicionit të mëparshëm qeverisës”, shprehet Bytyçi.

Siç thotë ai, Talat Xhaferi nuk është produkt u imponimit nga vota e sovranit.

Image
Enver Bytyçi

Si të tillë në Shqipëri ka patur kryeministra, të cilët as në ëndërr nuk e kishin pare një karrige të tillë. Bashkim Fino p.sh ishte kryeministër i Pajtimit Kombëtar në pranverën e vitit 1997. Kur i thanë nisu për Tiranë se do të bëjmë kryeministër ai i “hodhi një legen ujë kokës” për të kuptuar nëse ishte ëndërr apo ishte e vërtetë. Por qe e vërtetë. Po ia komunikonte këtë vendim atëherë Namik Dokle, nënkryetar i Partisë Socialiste. Ne në Shqipëri kemi shumë eksperienca të tilla. Edhe kryeministri i sotëm i Maqedonisë së Veriut pati të njëjtën arsye të përcaktimit të tij në krye të ekzekutivit”, thekson Bytyçi.

Pra sipas tij, është vendim përmes një marrëveshjeje politike, jo përfaqësim i sovranit.

“Formalisht vendosi edhe sovrani, sepse mori 65 vota deputetësh, nga 61 të nevojshme. Por sërishmi është produkt konsensusi midis socialdemokratëve dhe integralistëve në koalicionin qeverisës. Por unë personalisht jam gëzuar shumë jo se në Maqedoni ka një kryeministër shqiptar, por se ai e ka emrin Talat Xhaferi. Se mund të zgjedhësh kryeministër ndonjë Abazoviç që ta bjen kryepopin serb në Shkup, e pastaj të dalësh e të bërtasësh “Maqedonia ka kryeministër shqiptar”! Talat Xhaferi, besoj fort, se nuk është Dritan Abazoviç”.

Por a mund të zgjidhet në të ardhmen një shqiptar kryeministër i Maqedonisë së Veriut nga vota e sovranit?

Problemi shtrohet nëse shqiptarët i kanë ose jo mundësitë praktike për të pasur kryeministër me mandat katër vjeçar në këtë vend. Është shumë e vështirë që partitë shqiptare të imponojnë zgjedhjen e një kryeministri me rrënjë shqiptare. Kryeministri zgjidhet me shumicën e thjeshtë dhe i takon partisë më të madhe në koalicion. Nuk besoj se ndonjë parti politike shqiptare në Maqedoni tejkalon numrat e njërës prej dy partive maqedonase. Megjithatë, nëse partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut do të bashkoheshin në fushatë elektorale të zgjedhjeve të përgjithshme dhe bashkimin do ta vendosnin në statutet e tyre si detyrim, atëherë vota do maksimalizohej”, deklaron Bytyçi.

Mundet që si një trupë e vetme shqiptarët të kishin më shumë deputetë sesa njëra nga partitë maqedonase dhe ta merrnin të drejtën e zgjedhjes së kryeministrit në koalicion. Por kjo mund të çojë në bashkimin në koalicion të partive maqedonase dhe partitë shqiptare të ishin në opozitë. Në këtë rast partitë shqiptare do imponoheshin me bllokime të ndryshimeve kushtetuese, sepse pa deputetët shqiptarë nuk mund të bëheshin ato. Nga këto kushtëzime shqiptarët lehtësisht mund të merrnin me rrotacion vendin e presidentit të Republikës. D.m.th. një mandat të ishte presidenti shqiptar e zëvendësi i tij maqedonas dhe një mandat tjetër e kundërta. Kjo mund të shkruhej në kushtetutën, për të mos mbetur fakultative. Dhe mund të imponohej. Në nevojat për ndryshime kushtetuese deputetët shqiptarë mund të imponojnë edhe ndryshime që rrisin pozitën politike, ekonomike, arsimore, sociale e kulturore të shqiptarëve”, shpjegon Bytyçi.

Sipas tij, është me shumë rëndësi që shqiptarët të bëhen faktor përmes rritjes së tyre si faktor politik në parlamentin e Maqedonisë së Veriut.

Dhe kjo është shumë e mundshme. Thjesht duhet bashkëpunim e jo përçarje. Fatkeqësisht edhe ditën kur Talat Xhaferi po promovohej për kryeministër i qeverisë teknike, pati shigjeta kundër liderit të shquar, Arbër Xhaferi. Që do të thotë se egoja dhe lufta për të lavdi e për të zënë vend në histori bëhet jo vetëm mes të gjallëve, por edhe me ata që kanë ndërruar jetë. Kjo është një betejë, të cilën shqiptarët e zhvillojnë kundër njëri tjetrit jo vetëm në politikë, por edhe në fusha të tjera”.

“Kujtoj këtu duelin Qosja-Kadare. Ndërsa dueli politik në Shqipëri midis Edi Ramës dhe Sali Berishës duket qartë se nxitet nga kryeministri aktual pikërisht për të zënë bendin e paraardhësit të tij, Berishës në historinë tone kombëtare. Lufta e shqiptarëve nuk bëhet vetëm për pushtet, por edhe për prestigjin historik. Ky diabolizëm ne na le nën hijen e pushtetit të të tjerëve. Dhe pikërisht në funksion të kësaj aktivizohen më pas hijet e Beogradit në Shqipëri e Kosovë për të bërë propagandë”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat