Zgjedhjet e parakohshme, dëshira e opozitës për vitin 2024?/ Analistët: Kurti i pamposhtur!

Politika

Zgjedhjet e parakohshme, dëshira e opozitës për vitin 2024?/ Analistët: Kurti i pamposhtur!

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 28 dhjetor 2023 Në ora: 16:45
Ramush Haradinaj, Albin Kurti, Lumir Abdixhiku

Se Kosova mund të jetë në prag të zgjedhjeve të parakohshme, këtë po e lënë në dyshim partitë opozitare. Deklarimet e liderëve të partive opozitare po lënë të nënkuptohet se diçka të re mund të ketë në qeverisjen e Kosovës.  

Kjo pasi, lideri i PDK-së, Memli Krasniqi ka deklaruar se partia e tij po kthehet fuqishëm, po rritet. Madje ai ka shtuar edhe vizitat në institucione e takimet me qytetarë. 

“120 anëtarë të ri na bashkohen në Gjilan. PDK po rritet. PDK po fuqizohet. PDK po rikthehet”, shkruan Krasniqi në një postim në facebook.  

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk po lë tubim pa e proklamuar se kjo parti i duhet Kosovës në qeverisje. 

Nga ana tjetër, të gatshëm për zgjedhje të reja janë shprehur edhe nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.  

Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, në një konferencë për media bashkë me shefen e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Mimoza Kusari-Lila, tha se Vetëvendosje është e gatshme edhe për zgjedhjet të parakohshme nëse krijohen rrethanat për mbajtjen e tyre. 

Ai tha se në zgjedhje mund të shkohet vetëm nëse opozita inicion një mocion mosbesimi, përndryshe Rrustemi thotë se VV do të vazhdojë mandatin e saj deri në fund. 

“Natyrisht që VV është e gatshme kurdo që krijohen rrethanat për zgjedhjet e parakohshme, sepse këto e kanë një dimension të rrethanave se kur ato krijohen. Kushtetuta e parasheh këto situata. Unë nuk shoh indikacione për një gjë të tillë, nëse ka ndonjë nismë nga opozita për mocion mosbesimi për Qeverinë dhe ka sukses, padyshim që Vetëvendosja do të ishte edhe e gatshme edhe e përgatitur për të marrë pjesë në zgjedhje. Por, ne vazhdojmë me përkushtim përmbushjen e programit e qeverisës me mandat të plotë, por nëse eventualisht zgjedhjet e parakohshme paraqiten padyshim që ne me përkushtim do t’iu dedikohemi zgjedhjeve të parakohshme”. 

Mirëpo, analistët kanë mendime të tjera për sa i përket mundësisë së shkuarjes së Kosovës në zgjedhje të parakohshme.  

Kështu, analisti Faton Mehmeti, thotë se nuk pret që vendi të shkojë në zgjedhje, ndërsa deklarimet e opozitës i quan si propaganda histerike.  

Mehmeti: Nuk besoj se mund të ketë zgjedhje, së paku jo nga opozita 

Image
Faton Mehmeti

“Propagandë histerike e opozitës në deklarimete tyre, në fakt as LDK dhe as PDK nuk kanë ngritje, janë në kuotat e 15 shkurtit të 2021. Nuk besoj se mund të ketë zgjedhje, së paku jo nga opozita, kjo mund të ndodh veҫ nëse Kurti dëshiron vet, përndryshe s’ka mundësi tjetër”, vlerëson Mehmeti. 

Ai thotë se, opozita është në tension për shkak të sondazheve që tregojnë rritjen e Vetëvendosjes.  

“Opozita është në tension të realitetit të hidhur me sondazhet që e pasqyrojnë gjendjen faktike të rritjes së VV. Zgjedhjet janë në kulnetin e Albinit, opozita bën sehir pa mundur me ndryshuar realitetin”, vlerëson Mehmeti. 

Mehazi: Viti i ardhshëm, 2024  do jetë vit i marrëveshjes politike në mes Kosovës dhe Serbisë 

Image
Sulejman Mehazi

Për të njëjtën çështje ka folur edhe profesori Sulejman Mehazi. Ai thotë për ‘Bota sot’ se, deklaratat e kryetarëve të dy partive opozitare Memli Krasniqit të PDK-së dhe Lumir Abdixhikut se PDK-ja po kthehet fuqishëm, kurse Kosovës i duhet fitorja e LDK-së janë vetëm deklarata dëshirash të tyre e asgjë më shumë. 

“Për të qenë të fuqishëm e për ta fituar partinë e Albin Kurtit LVV-në duhet të jenë Albin Kurta e jo Memli Krasniqa dhe Lumir Abdixhika të cilët kanë humbur rrugën e tyre politike duke ju kundërvënë Kurtit me llafe boshe e qesharake e pa farë argumentesh politike për vendimin e ndarjes së 100 eurove të pensionerëve dhe fëmijëve nga qeveria e Kosovës si fushatë zgjedhore e jo humane”, vlerëson Mehazi. 

Sipas tij, këta liderë opozitarë e kanë të qartë që për zgjedhje të reja vendos vetë partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.  

“Edhe vetë Krasniqi dhe Abdixhiku e kanë të qartë se ajo që vendos për zgjedhje të reja parlamentare është LVV-ja e Albin Kurtit e jo partitë opozitare, prandaj të kota janë dëshirat e Memli Krasniqit dhe Lumir Abdixhikut për farë zgjedhje të parakohshme parlamentare për shkak se qëllimi kryesor politik i qeverisë së Kurtit është përmbyllja e dialogut me Serbinë me njohje reciproke dhe se pika kyçe e qeverisë së Kosovës është Marrëveshja e Ohrit dhe projekt-statuti i Brukselit për një marrëveshje paqësore me Serbinë”, thekson ai. 

Profesor Mehazi vitin 2024 e quan si vit të marrëveshjes politike, ndërsa zgjedhjet parlamentare thotë se do të mbahen në vitin 2025. 

“Si vërehet viti i ardhshëm, 2024  do jetë vit i marrëveshjes politike në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe se  zgjedhjet  parlamentare në Kosovë do mbahen më 2025, kështu që të kota janë mprehjet e dhëmbëve të partive opozitare PDK dhe LDK për zgjedhje të reja parlamentare gjatë vitit, 2024. Kryetari i LVV-së, Kurti, mund të shpall zgjedhje të parakohshme edhe në prill të 2024, ama vetëm me një kusht nëse dialogu me Serbinë do përfundonte me njohje reciproke në mars të vitit 2024”, thekson Mehazi për ‘Bota sot’. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat