Deklaratat befasuese të Lajçakut e Kurtit - a po i vjen fundi “problemit” të ashtuquajtur Asociacion?

Politika

Deklaratat befasuese të Lajçakut e Kurtit - a po i vjen fundi “problemit” të ashtuquajtur Asociacion?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 25 dhjetor 2023 Në ora: 12:24
Miroslav Lajçak dhe Albin Kurti

Dialogu Kosovë-Serbi mbetet një ndër çështjet më të diskutuara, përfshi këtu edhe draft-statutin e shumëpërfolur të Asociacionit.

Së fundi, ka pasur deklarata dhe vlerësime të ndryshme në lidhje me këtë draft-statut.

Për të dhënë më shumë detaje mbi këtë çështje, ditë më parë, foli edhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ndërmjetësuesi sllovak tha se sipas pikëpamjes së Bashkimit Evropian, s’është e nevojshme që Serbia të nënshkruajë Statutin e Asociacionit, meqë Drafti është dizajnuar të jetë dokument i brendshëm i Kosovës dhe se me nënshkrimin dhe të Kosovës edhe të Serbisë do të bëhej marrëveshje ndërkombëtare, gjë që Lajçak thotë se s’është.

I menjëhershëm ishte reagimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ku duke u bazuar në deklarimin e fundit të emisarit evropian, Miroslav Lajçak, se draft statuti për Asociacionin është çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, tha se mund ta shkruajë një draft modern evropian.

“…Në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.

Megjithatë, është për t’u befasuar se si deri tani nuk ka pasur ndonjë ide apo propozim që Kosova mund ta hartojë vet draft-statutin për Asociacionin, dhe për këtë mund të hidhen edhe dyshime mbi deklaratën e fundit të Lajçakut mbi këtë çështje.

E këtë gjë, për gazetën “Bota sot” e komentuan analistët politikë.

Mehazi: Është hera e parë që deklarata e emisarit evropian është në anën e duhur të drejtësisë

Image
Sulejman Mehazi

Së pari, profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi tha se është një deklaratë befasuese dhe e mirëpritur nga ana e Lajçak-ut, pasi është hera e parë që është në “anën e duhur të drejtësisë”.

“Deklaratë më të këndshme, më shpresëdhënëse e më të favorshme në lidhje me draft-statutin të asociacioneve serbe në Kosovë nga përfaqësuesi i BE-së, Lajçak, nuk kemi dëgjuar, është hera e parë që deklarata e emisarit evropian është në anën e duhur të drejtësisë, se në lidhje me asociacionet e pakicës serbe do pyetet qeveria e Kosovës e kurrsesi projektuesi i një lufte të re në Ballkanin Perëndimor, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiqi”, deklaroi ai.

Mehazi e cilësoi si një “dhuratë” të Lajçakut, deklaratën se Asociacioni është çështje e brendshme e Kosovës, për të cilën nuk duhet kërkuar mendim nga Serbia.

Megjithatë, profesori i shpreh i befasuar me këtë qasje të Lajçak-ut pro Kosovës, derisa kërkoi nga Kurti që t’i mbledhë juristët më të mirë shqiptarë, por edhe evropian për ta hartuar një draft të Asociacionit modern në përputhje me Kushtetutën.

“Nuk mund ta dimë se nga erdhi kjo dhuratë e Lajçakut për Kosovën, dhe se pse emisari i BE-së bëri një kthesë të madhe në të mirë të Kosovës e në dëm të Serbisë?, se pse përfaqësuesi evropian Lajçaku, Vuçiqit ia prishi gëzimin e fitores së partisë së tij dy-tre ditë pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi? Vetëm në këtë mënyrë mund të vijë paqja në mes Kosovës dhe Serbisë, për ndryshe Ballkani Perëndimor do jetë nën kthetrat e Serbisë luftënxitëse, deklarata e përfaqësuesit evropian, Miroslav Lajçak, se draft statuti për Asociacionin është çështje e brendshme e Kosovës, është një sihariq politik shumë i çmuar për Kosovën, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, që pa humbur kohë të mbledh juristët më eminent të Kosovës, por edhe juristët më me zë evropianë për të krijuar asociacionet kulturore serbe moderne e evropiane sipas dëshirës së kushtetutës së Kosovës.

Deklarata e Lajçakut “se për asociacionet serbe do pyetet Kosova” i jep fuqi të madhe mëvetësisë së Kosovës, kryeministrit Kurtit dhe qeverisë së tij” përmbylli Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Mehmeti: Deklarata e Lajçak është e vonuar, është dashur në fillim të thotë se Asociacioni është punë e brendshme e Kosovës

Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se Kosova duhet të ketë modelin e saj për Asociacionin, por kjo gjë mund ta nxisë shtetin serb të krijojë trazira dhe tensione.

Image
Faton Mehmeti

Ai propozoi që të gjendet një model si ai i Kroacisë, derisa përshëndeti qëndrimin e Kurtit në lidhje me Asociacionin.

“Më duket e vështirë të mund të funksionojë një mundësie e tillë, Kosova edhe mund por edhe duhet të propozojë modelin e saj për Asociacionin. Por, e vështirë të pranohet, kjo edhe mund të nxisë Serbinë të krijojë një të tillë e pastaj do ketë tensione edhe më të mëdha. Më lehtë është të gjendet një model në rajon, si ai i Kroacisë. Gjithsesi është për t’u përshëndetur një qëndrim i tillë i Kurtit, Kosova duhet të kryej obligimet e saj”, u shpreh analisti.

Krahas kësaj, Mehmeti vlerësoi se deklarata e Lajçakut për Asociacionin është e vonuar, duke përmendur edhe mbështetjen që ai ia ka dhënë Serbisë ndër vite.

“Deklarata e Lajçak është e vonuar, është dashur në fillim të thotë se Asociacioni është punë e brendshme e Kosovës, ndryshe do të ishin gjërat. Nëse qenka punë e brendshme e Kosovës, çfarë ka Serbia atëherë që përzihet në punët e brendshme dhe pse Lajçak e ka mbështet Serbinë në këtë drejtim. Kështu që, nuk është parimore në qëndrimet e tij, por Kosova është ajo që duhet ta thotë fjalën e fundit për Asociacionin”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat