Deklarata e Lajçakut për draftin e Asociacionit, analistët zbardhin detaje – japin sinjale pozitive për Kosovën

Politika

Deklarata e Lajçakut për draftin e Asociacionit, analistët zbardhin detaje – japin sinjale pozitive për Kosovën

Arife Morina Nga Arife Morina Më 22 dhjetor 2023 Në ora: 19:39
Miroslav Lajçak

Së fundi, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka folur për çështjen e nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit, Aneksit të Implementimit dhe Draft-Statuti të Asociacionin. 

Laçak bëri të ditur se ekipi i tij ka shqyrtuar disa herë çështjen e formalizimit sipas kërkesës së Kosovës dhe ka treguar se ia kanë dhënë Kurtit disa opsione dhe se po presin përgjigje. 

Megjithatë, ndërmjetësuesi sllovak ka thënë se sipas pikëpamjes së Bashkimit Evropian s’është e nevojshme që Serbia të nënshkruajë Statutin e Asociacionit, meqë Drafti është dizajnuar të jetë dokument i brendshëm i Kosovës dhe se me nënshkrimin dhe të Kosovës edhe të Serbisë do të bëhej marrëveshje ndërkombëtare, gjë që Lajçak thotë se s’është. 

“Në tetor, të dy liderët shprehën gatishmërinë e tyre në parim për ta pranuar Draft-Statutin evropian për themelimin e Asociacionit. Në të njëjtën kohë, Kryeministri Kurti e kushtëzoi pranimin e Statutit me nënshkrimin nga Kosova dhe Serbia të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, aneksit të saj, si dhe të vetë Statutit. Në të njëjtën kohë, Serbia ka paraqitur pyetje shtesë për sqarim. Kështu pra, aktualisht zbatimi është në pritje për shkak të këtyre kërkesave nga palët dhe po punojmë fort për t’i adresuar ato në cilësinë tonë si lehtësues. Ekipi im e ka shqyrtuar edhe një herë çështjen e formalizimit sipas kërkesës së Kosovës, si dhe i kemi ofruar Kosovës disa opsione në këtë drejtim, dhe aktualisht po presim përgjigjen e tyre”, ka thënë Lajçak në një intervistë për median vendore. 

Kurse, të premten Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një postim të gjatë, ka përmendur zhvillimet politike në vend dhe ndër të tjera, i është kundërpërgjigjur emisarit të Bashkimit Evropian, Mirsolav Lajçak, për draftin e Asociacionit. 

Mes tjerash, Kurti ka thënë se vitin e ardhshëm mund ta shkruajë draft-statutin e asociacionit si çështje e brendshme e Kosovës. 

“Draft statutin e Asociacionit mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vuçiq). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian Mirosllav Lajçak, meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”, ka shkruar kryeministri mes tjerash. 

Deklaratën e Lajçakut, për gazetën “Bota sot” e komentuar njohës të çështjeve politike, derisa mirëpriten faktin që drafti i Asociacionit do të mbetet vetëm dokument i brendshëm i Kosovës, pa pasur nevojë për Serbinë dhe nënshkrimin e saj. 

Qarri: Të shfrytëzohet ky momentum i veçantë, për përjashtimin definitivë të Serbisë, nga kjo çështje 

E për këtë, analisti politik, Gani Qarri në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se nuk do ketë nënshkrime për Asociacionin, pasi do të ketë vetëm dokument të rregullimit të brendshëm, ku tha se propozimi i draft-statutit është përgatitur në bashkëpunim me SHBA-në, ku i kanë lënë hapësirë Kosovës për ta rregulluar atë. 

“Pikërisht fakti se statuti aktual i asociacionit, për ndryshim nga marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, të cilat ishin nënshkruar nga të dy palët, kësaj radhe do të mbetet, vetëm dokument i rregullimit të brendshëm të Kosovës, në të cilin nuk do të mund të involvohet Serbia, as nuk do të figurojë nënshkrimi i saj, duket se e ka bindur edhe vet emisarin Miroslav Lajçak, se do ta përfundojë me sukses misionin më të rëndësishëm ndërmjetësues, që ka pasur ndonjëherë në karrierën e tij diplomatike, si arritja e zbatimit të Marrëveshjes Bazike mes Kosovës dhe Serbisë. 

Madje pasi që “sipas pikëpamjes së BE-së, nënshkrimi i Serbisë, nuk është i nevojshme”, për vet faktin se, ky akt ligjor, ashtu sikur është i dizajnuar, është paraparë të jetë, vetëm dokument i brendshëm i Kosovës, duke qenë se propozimi i draft-statutit, është përgatitur në bashkëpunim me SHBA-të, Lajçak, kësaj radhe ka treguar një lloj mirëkuptimi më të madh edhe për të bërë rregullime në draft të Statutit, duke i lënë Kosovës këtë mundësi”, deklaroi analisti. 

Sipas tij, pas kësaj deklarate të Lakçakut, qeveria duhet të mobilizohet me profesionistët më të mirë juridik, ligjor e kushtetues dhe të analizohet sa më thellë draft-statuti i Asociacionit. 

Image
Gani Qarri

“Për aq më tepër, ai nuk ka refuzuar që teksti të mund të dërgohet fillimisht edhe në Gjykatën Kushtetuese, për shqyrtim dhe marrjen e mendimit të saj, me përputhje në plotëni, të statutit me ligjet dhe kushtetutën e Republikës së Kosovës. 

Prandaj, deklarata e ndërmjetësuesit të BE-së në bisedimet Kosovë-Serbi, se sipas pikëpamjes së Bashkimit Evropian s’është e nevojshme që Serbia ta nënshkruajë Statutin e Asociacionit, pasi që Drafti në fjalë, është dizajnuar faktikisht, të jetë “Dokument i Brendshëm i Kosovës”, duhet ta mobilizojë Qeverinë, që t’i angazhojë profesionistët më të mirë juridik, ligjor e kushtetues dhe të analizohet sa më thellë e sa më gjithanshëm mundësia praktike, që marrëveshja për asociacionin të shqyrtohet dhe trajtohet, vetëm në bashkëpunim me SHBA-të dhe BE-në, dhe të mos lejohet përzierja e Serbisë, në çështje kaq të ndjeshme, të rregullimit të brendshëm shtetëror të Kosovës”, vlerësoi ai. 

Po ashtu, Qarri kërkoi nga Kosova që të shfrytëzohet ky momentum, dhe me çdo kush që të mos përfshihet shteti serb në draftin e Asociacionit, ku për fat të mirë marrëveshjet e nënshkruara më parë për këtë çështje janë refuzuar nga Kushtetuesja. 

“Pra, duke pasur parasysh faktin se marrëveshjet e mëparshme për asociacionin, ishin nënshkruar dy herë, nga të dy palët, variante të cilat për fat të mirë, i ka hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese, tani duhet të shfrytëzohet me çdo mjet e mundësi, ky mos-involvim i Serbisë hegjemoniste, dhe të shfrytëzohet ky momentum i veçantë, për përjashtimin definitivë të Serbisë, nga kjo çështje, që për ne si vend, i përket definitivisht, rregullimit tonë të brendshëm shtetëror, përderisa vet ndërmjetësuesi dhe emisari i lartë i BE-së, Miroslav Lajçak, ka deklaruar publikisht se, nuk është e nevojshme që Serbia ta nënshkruajë Asociacionin, për arsyen e thjeshtë se; Drafti është i dizajnuar si dokument i Kosovës! 

Dhe ky fakt, tregon mjaftueshëm se Kosova duhet ta shfrytëzojë gjithë potencialin profesional akademik e juridik, për t’i dhënë formë dhe përmbajtje, statutit të Asociacionit, plotësisht të harmonizuar me ligjet dhe kushtetutën e vendit tonë, që nuk interferon me asnjë element të nivelit të lartë të shtetit dhe pa kompetenca ekzekutive të pushtetit, të cilat do ta rrezikonin në faza të mëvonshme stabilitetin e vendit dhe funksionalitetin e shtetit unitar, të Republikës së Kosovës”, theksoi analisti. 

Më tej, ai u shpreh hapur se mbështet idenë që Asociacioni të mbetet çështje e brendshme, pa e përfshirë në Serbinë brenda saj. 

“Pra unë personalisht, jam që asociacioni, të mbetet çështje e brendshme e shtetit të Kosovës, ndërsa sa i takon marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe aneksit të saj, si tërësi, mendojë që ajo duhet të nënshkruhet nga të dy palët, por çështja e asociacionit, të mbetet gjithsesi, një marrëveshje vetëm ndërmjet Kosovës, SHBA-ve dhe BE-së, pa involvimin e Serbisë, në këtë çështje jetike, që lidhet drejtpërsëdrejti me rregullimin e brendshëm shtetëror të Republikës së Kosovës 

Veçanërisht duke e pasur parasysh se tash e sa vite, çështje e asociacionit, ka qenë kaq e komplikuar, do të mjaftonte nënshkrimi i marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë, kurse asociacioni duhet të formohet në marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe BE-së, me draft pa kompetenca ekzekutive dhe pushtet të tretë”, potencoi Qarri. 

Në fund, ai tha se produkti final i Asociacionit duhet të përgatitet bashkë me Amerikën. 

“E ky draft, duhet të përgatitet bashkë me SHBA-të, si mbështetësi më i madh i Kosovës dhe shtetësisë tonë, sepse po u nënshkrua me Serbinë, ajo bëhet hisedarë me dokument në këtë çështje dhe pretendimet e saj, për ngritjen e asociacionit në një "republika srpska" dhe ndarjen e Kosovës, nuk do të pushojnë kurrë, njëjtë siç vepron aktualisht Vuçiqi me Millorad Dodikun, duke kërcënuar në vijimësi, për ndarjen e Bosnjë Hercegovinës”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”. 

Zogaj: Siç po shihet Serbia nuk do, dhe, nuk do të lutet më! 

E për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli edhe publicisti, Skënder Zogaj. 

Image
Skënder Zogaj. 

Së pari, ai u shpreh se marrëveshjet arrihen si rezultat i vullnetit të bashkësisë ndërkombëtare, dhe se pavarësia dhe liria e Kosovës nuk janë dëshira të shtetit serb. 

“Çlirimi, liria dhe pavarësia e Kosovës nuk janë dëshirë e Serbisë e as rezultat i marrëveshjeve dypalëshe Kosovë -Serbi, por është vullnet i njëanshëm i bashkësisë ndërkombëtare në krye me SHBA-të, që e kanë thyer ushtarakisht Serbinë dhe e kanë përzënë ultimativisht nga Kosova. Pra, gjithçka e deritashme është arritje e imponueshme, detyruese e Serbisë nga bashkësia ndërkombëtare, e cila e ka korrigjua gabimin e 1912, kur Kosovën e ka nda nga shteti amë duke e lënë të aneksuar në Serbi! 

Kjo gjendje historike është e përcaktuar edhe tash e tutje: BE-ja është PADRONI që merr vendime dhe ua ofron serbëve dhe shqiptarëve, për t'ua treguar kahjen që duhet ta ndjekin, për të qenë në anën e lirisë rajonale e cila i përket BE-s dhe sferës strategjike euro-atlantike”, deklaroi publicisti. 

Krahas kësaj, ai tha se tani ka ardhur momenti që Kosova dhe Serbia të merren vesh, derisa tha se drafti i Asociacionit do të të implementohet pa pasur nevoje që Serbia ta nënshkruaj 

“Në këtë pikë teli është ngushtuar dhe Kosova e Serbia duhet të tregojnë duan apo nuk duan të merren vesh. Siç po shihet Serbia nuk do, dhe, nuk do të lutet më! Konkretisht dëshmi është fakti se, marrëveshja për asociacionin që, tashmë duhet të implementohet dhe kjo mund të bëhet pa u nënshkruar nga të dy shtetet. Se kështu ka me qenë fundi është ditur që nga fillimi i dialogut, i cili pas fazës së përdorimit të karotës, tash po kalon në fazën e shkopit dhe, mjerë kush nuk e merr vesh. Drafti është dizajnuar dhe do të implementohet pa pasur nevoje që Serbia ta nënshkruaj”, përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat