“Aksionet terroriste serbe si në Banjskë do të ripërsëriten”/ Thirrje urgjente për KFOR-in dhe Policinë

Politika

“Aksionet terroriste serbe si në Banjskë do të ripërsëriten”/ Thirrje urgjente për KFOR-in dhe Policinë

Nga: M.Lakna Më: 20 dhjetor 2023 Në ora: 17:05
Foto ilustrim

Sulmi terrorist serb në Banjskë po konsiderohet si sulmi me rrezikshmërinë më të lartë për Kosovën që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe si i tillë mund të përsëritet.

Kështu ka deklaruar kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu, pas mbledhjes ku raportoi drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti.

“Konstatuam se ka qenë një vit i vështirë dhe jashtëzakonisht sfidues për qytetarët e Republikës së Kosovës në përgjithësi e me theks të veçantë për institucionet e sigurisë në vend. Gjatë këtij viti, Kosova si asnjëherë më parë që nga shpallja e pavarësisë u përball me agresionin e sulmeve terroriste te organizuara nga aparatura shtetërore serbe. Në nivelin e sigurisë kombëtare rasti i Banjskës është një nga rastet e nivelit më të lartë të rrezikshmërisë së shtetit të Kosovës dhe ky rast ende vazhdon në mënyra të veta të paraqesë rrezik për vendin tonë”, tha ajo.

Se një rast sikurse i 24 shtatorit mund të përsëritet e thotë edhe juristi Muhamet Kelmendi.

Kelmendi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se KFOR-i dhe organet e sigurisë në Kosovë duhet të jenë të përgatitura edhe për një skenar të ri të agresionet terrorist serb.

Image
Muhamet Kelmendi

Ai ka thënë se gjendja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është që nga lufta jashtë kontrollit.

“Ato komuna në veri kurrë nuk u stabilizuan. Francezët e krijuan një territor të pastër serb, duke dëbuar shqiptarët nga veriu, që tash po vepron për bashkimin e viseve veriore të Kosovës me shtetin serb. Këtë qëllim e ka edhe Serbia”, shprehet Kelmendi.

Sipas tij, ideologjia kishtare serbe për bashkimin e botës serbe në Ballkan, në një shtet me Serbinë, është bërë ideologji e vetë shtetit serb.

“Në fushatën elektorale u propagandua bashkimi i tërë serbëve në një shtet. Këtu duhet të bëjë pjesë Bosnja e Hercegovina, viset serbe në Kroaci, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Ky shtet që u krijua nga Kongresi i Berlinit, Konferenca e Ambasadorëve, Mbledhja e Versajit, po punon për ribashkimin e këtyre territoreve nën Serbi.. Me këtë qëllim është veprimi aktual i shtetit serb, sikundër edhe propaganda aktuale dhe grupet e armatosura terroriste serbe . Këtu është Kosova në ballë të agresionit serb. Dhe, natyrisht se terrori i Banjskës e ka treguar këtë. Për ta ndalur këtë terrorizëm serbomadh, po kërkohet nga NATO, që të bëhet shtimi i trupave të KFOR-it në Kosovë. Anglia i ka dërguar edhe 400 forca të reja, SHBA po ashtu dhe Turqia. Në vitin e ardhshëm do i dërgon edhe Gjermania rreth 180 forca të reja”, ka theksuar ai.

Aktualisht gjinden në Kosovë rreth 5000 forca të KFOR-it, por sipas Kelmendit nuk mjaftojnë nëse Kosova sulmohet me ushtri dhe paramilitar serbë nga Serbia.

“Ndërsa, për rend dhe qetësi, pa agresion nga jashtë, janë në gjendje ta ruajnë situatën. Këtu duhet marrë për bazë edhe forcat policore dhe ushtarake të Kosovës. Shtimin e forcave e kanë kërkuar shumë shtete të BE-së dhe jashtë saj, anëtarët e NATO-se etj”, u shpreh ai.

Kelmendi rikujtoi se edhe në takimin e fundit të NATO-s në Bruksel u kërkua shtimi i forcave të KFOR-it.

“U tha se,-"rreziku nga grupet kriminale serbe dhe Serbia është e pranishëm në Ballkan,-" . Serbisë iu bë thirrja për largimin e bazave ushtarake nga kufiri me Kosovën. Tëra këto nuk po i dëgjon Serbia. Shteti serb po vazhdon ideologjinë agresive dhe po përgatitë forca terroriste për të bërë aksione terroriste në Kosovë. Priten veprime të ashpra dhe shumë të rënda”, ka thënë ai.

Në fund Kelmendi tha se KFOR-i dhe organet e sigurisë në Kosovë kërkohet të jenë syçelë dhe të përgatitur për tu mbrojtur nga shteti serb.

“Aksionet terroriste serbe si në Banjskë do të ripërsëriten”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat