Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare tregon pse ndaluan njohjet për Kosovën, zbulon me emra fajtorët

Politika

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare tregon pse ndaluan njohjet për Kosovën, zbulon me emra fajtorët

Nga: Petrit Rudi Më: 14 dhjetor 2023 Në ora: 09:31
Foto ilustrim

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur lidhur me njohjet e reja për Kosovën, të cilat kanë stagnuar për më shumë se tre vite.

“Njohjet e Kosovës nga shtetet e tjera anëtare të OKB-së është dhe duhej të ishte objekti kryesor i qeverisë, presidentes, ministrisë së Jashtme dhe institucioneve të Kosovës. Fakt është se këto njohje janë ndaluar para ardhjes së Akbin Kurtit dhe Vjosa Osmanit në pushtet. U ndaluan thjesht për shkak se Edi Rama, Hashim Thaçi, eminenca gri, Baton Haxhiu etj, duke qenë në pushtet në Kosovë e në Shqipëri morën vendimin për ta zhbërë shtetin e Kosovës. Së paku prej vitit 2014 e deri në vitin 2021, kur u rikthye Albin Kurti, këta dhe mbështetësit e tyre punuan bazuar në platformën serbe të ndarjes ose rikthimin e Kosovës nën sovranitetin e Beogradit”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, ata jo vetëm nuk punuan për shtimin e njohjeve, por e rrënuan çdo arritje në këtë drejtim.

“E mbani mend kur Kosova nuk u pranua në UNESCO? Për një votë mangut nuk u pranua. Dhe vota që e la Kosovën jashtë kësaj organizate të rëndësishme ndërkombëtare ishte ajo e Polonisë. E kam sot e kësaj dite enigmë të panjohur se si kishte mundësi që një vend si Polonia, e cila e ka njohur nga të parat shtetin e Kosovës, anëtare e NATO-s dhe BE-së, vend kundërshtarë i rreptë i ndikimit rus në Lindje, të votonte kundër konsolidimit të shtetësisë së Kosovës. Unë e shpjegoj këtë vetëm me ndonjë kërkesë të Ramës ose Thaçit, apo të dyve, për ta sabotuar pranimin e Kosovës në UNESCO, sepse ata kishin në projekt ndarjen e Kosovës dhe zhbërjen e shtetësisë së saj”, shprehet Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

“Nuk ka ndodhur për herë të parë kjo. Dihet tashmë që zoti Rama shkoi në vitin 2014 në Londër për ti kërkuar kryeministrit britanik që të votonte kundër dhënies së statusit kandidat të vendit që ai qeveris vetë, Shqipërisë, sepse „do ti merrte meritat ish-partia në pushtet“! Pra, kur ke në krye të shtetit liderë politikë që mbrojnë vetëm interesat personale për pushtet e pasuri, shteti dobësohet, madje edhe zhbëhet. Atëherë shtetet që nuk e kanë njohur atë nuk gjejnë asnjë motiv për të shkuar te njohja. Ndërkaq Serbia e ka shfrytëzuar këtë fakt për tu thënë vendeve të ndryshme „Mos e njihni Kosovën, se ne po bisedojmë me Ramën dhe Thaçin për ta ndarë atë dhe kësisoj ky shtet nuk do ekzistojë“! Cili shtet do ta njihte një vend, liderët e të cilit luftojnë për shkatërrimin e tij?!”, shpjegon Bytyçi për “Bota sot”.

Më tej, ai thotë se imazhi i keq që i krijoi Hashim Thaçi Kosovës, demotivon vendet mos-njohëse për njohje.

“Nga ana tjetër liderët e mëparshëm, sidomos ata të krahut të Thaçit, Pacollit e të tjerë, i dhanë Kosovës një emër të keq në botë. Kudo flitej për korrupsion, mafie e të tjera si këto. Imazhi i keq demotivon vendet mos-njohëse për njohje. E vetmja njohje erdhi në shtator 2020 nga Izraeli, si rezultat i ndërhyrjes së presidentit amerikan, Donald Trump. Asgjë tjetër. Shkak tjetër i mosnjohjes është edhe indiferenca totale e Barak Obamës në tetë vite qeverisje në SHBA”.

Bytyçi ka kritika për Qeverinë dhe Ministrinë e Jashtme sa i përket lobimit për njohje të reja.

“Sepse kur ke dështime në njohjen e Kosovës në shtatë-tetë vitet e shkuara, edhe pse në pushtet vjen një qeveri tjetër e përkushtuar, si kjo e zotit Kurti, është vështirë të riparosh dëmet që ishin shkaktuar në këtë aspekt. Duhet kohë për të bindur partnerët se „është ndryshe e vërteta“! Megjithatë unë besoj se edhe qeveria e diplomacia e Kosovës nuk ka qenë e aftë të bëjë atë që mund të bëhej. Nuk kam vënë re se ishte prioritet në programin e qeverisë njohja e shtetit nga shtetet e tjera. Nuk është folur sa duhet për këtë. Kam përshtypjen se pak energji politike e diplomatikë janë investuar në këtë drejtim”, thekson Bytyçi.

Sipas tij, për sjelljen e njohjeve të reja të Kosovës, është angazhuar me seriozitet edhe presidentja, Vjosa Osmani.

“Ajo që kam parë lidhet me disa hapa të rëndësishëm për të ofruar njohjen nga ana e Greqisë dhe Ukrainës, dy shtete të rëndësishme që ndikojnë shumë në konsolidimin e shtetësisë. Ditët e fundit është angazhuar me seriozitet presidentja Osmani, e cila në forumet ndërkombëtare ka kontaktuar dhe ka biseduar me disa kryetarë shtetesh që nuk e kanë njohur deri më sot shtetin e Kosovës. Ndërsa sa i përket pranimit në organizatat ndërkombëtare, lajm i mire është nisja e procedurave për tu pranuar në Këshillin e Evropës”, shprehet Bytyçi.

”Ndërkaq në këto dhjetë vite, e sidomos në këto tri vite, ka munguar plotësisht lobimi i diplomacisë së Shqipërisë për Kosovën dhe njohjen e saj. Edhe ky fakt e bën të vështirë suksesin e diplomacisë së Kosovës. Madje ka informacione se dosa ambasadorë të Shqipërisë, në end të lobojnë për shtimin e njohjeve, bëjnë lobim ende për ndarjen e Kosovës”.

Por a është fajtore edhe qeveria Kurti për stagnimin e njohjeve të reja?

“Përmenda më shumë dështimet e projektuara të aktorëve politikë para qeverisë Kurti. Megjithatë kjo nuk do të thotë se kjo qeveri duhet të shfajësohet për këtë dështim. Pranimi në organizatat ndërkombëtare dhe shtimi i njohjeve është jetike, sepse rrit potencialet e Kosovës në raport me botën, shton shanset për tu bërë anëtare e OKB-së përmes votimit në Asamblesë së Përgjithshme etj. Nuk e di nëse ka ndonjë dokument strategjik për këtë qëllim, por nëse nuk ka, ky dokument duhet hartuar menjëherë. Nuk mund ti lihen rastësisë dhe spontanitetit punët diplomatike për njohjen e shtetit. Njohja është kushti kryesor i ekzistencës së shteteve. Po bëhen 16 vite që kur u shpall pavarësia. Janë shumë vite këto. Prandaj duhet shpejtuar puna, sepse mundet që edhe vendet që e kanë njohur Kosovën, të thonë se “bëmë gabim që e njohëm atë”!”, përfundon profesor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat